Egbo: Zoti të jep atë që do, me Partizanin thjesht një ndeshje e radhës

Emanuel Egbo e cilëson si një ndeshje të radhës super duelin ndaj Partizanit. Strategu i bardhebluve ka një falënderim të veçantë për Zotin, që sipas tij ka meritën më të madhe për ecurinë fantastike të skuadrën kryeqytetase.

“Zoti ka meritën i pari. Zoti është Ai që të bën ty të mendosh në mënyrën e duhur. Nëse nuk e ke Zotin në krah, gjërat nuk bëhen ashtu siç do ti. Veprat e tij nuk krahasohen me veprat e njeriut. Nëse jep më të mirën, Zoti do të të shohë dhe do të të japë atë që do ti.

Nuk ndryshon asgjë fakti që kemi fituar disa ndeshje radhazi. Kjo është ndeshje e radhës për ne dhe do futemi në lojë si në çdo ndeshje tjetër. Është e njëjta ndeshje si me të tjerat.

Lojtarët janë të qetë, nuk është ndeshja e parë që luajnë një derbi. Ata janë me këmbë në tokë dhe do japin maksimumin në fushën e lojës. Lojtarët i kanë fituar ndeshjet, duke dhënë më të mirën e tyre. Ka vetëbesim, harmoni dhe ka shumë gjëra pozitive. Çunat, nëse futen në fushë dhe japin maksimumin, atëherë do marrim atë që meritojmë.

Kampionati është ende i gjatë, ka edhe shumë ndeshje. Kjo ndeshje ka vetëm tri pikë, si në çdo takim tjetër. Normalisht që te morali ndikon, por skuadra e ka krijuar mentalitetin tashmë. Cale dhe Torasa? Mendoj që çunat do të jenë gati deri nesër. Çdo lojtar brenda ekipit është i rëndësishëm”.

SHKARKO APP