
Takimi nisi në mënyrën më të mirë për bardheblutë, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 4-t me anë të Drilon Hazrollajt, duke surprizuar vendasit.
Megjithatë, reagimi i Egnatias nuk vonoi. Në minutën e 20-të, Loukili riktheu baraspeshën në rezultat, me golin që u shoqërua edhe me një dedikim për Eljon Sotën, i cili është i dëmtuar.
Në pjesën e dytë, rrogozhinasit shtuan presionin në kërkim të golit të fitores dhe ia dolën në minutën e 77-të. Ishte Diabate ai që dërgoi topin në rrjetë, duke kompletuar përmbysjen dhe vulosur triumfin 2-1 për Egnatian.
Një sukses me shumë vlera për skuadrën kampione, e cila konfirmon momentin pozitiv dhe vijon të kryesojë kampionatin, ndërsa tashmë vëmendja zhvendoset edhe drejt angazhimit europian.
Pas javës së 10-të, Egnatia kryeson Abissnet Superiore me 24 pikë, ndërsa Tirana mbetet në vendin e katërt me 12 pikë.