Ekipet e Romës dhe Fejnordit bashkojnë forcat në mbështetje të komunitetit në nevojë në Tiranë
Në prag të finales së ”UEFA Europa Conference League”, finalistët Roma dhe Fejnord do të bashkojnë forcat në një sërë nismash për të mbështetur komunitetet në nevojë në Tiranë. Dy klubet, të cilat do të përballen me njëri-tjetrin në Arenën Kombëtare mbrëmjen e së mërkurës, do të bashkëpunojnë në një sërë aktivitetesh në kryeqytetin shqiptar, i pari filloi të hënën, pasi përfaqësues të të dy klubeve vizituan shkollat dhe akademitë e futbollit vendas.
“Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur që jemi në gjendje të ndërmarrim një sërë nismash për komunitetet në Tiranë – disa prej tyre në bashkëpunim me Fejnord dhe institucionet lokale,” tha Pietro Berardi, CEO i AS Roma. “Disa nga këto aktivitete janë shumë të përhapura në qytetin e Romës dhe ne jemi të kënaqur që mund të sjellim trashëgiminë tonë në qytetin që pret finalen e UEFA Europa Conference League”.
“Ne po i afrohemi fundit të një sezoni në të cilin kemi punuar shumë për zbatimin e një sërë projektesh kuptimplotë dhe besojmë se është e rëndësishme që një ngjarje si kjo finale europiane, të mbështetet gjithashtu nga një sërë veprimesh të mirëmenduara në qytetin që na mikpret”.
Aktivitetet nga të dy klubet po kryhen me ndihmën e Fondacionit UEFA dhe mbështetjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ambasadorit italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci.
“Tirana do të jetë përgjithmonë pjesë e historisë së Fejnordit. Prandaj ne duam të përpiqemi të lëmë diçka pas, në mënyrë që popullsia vendase të shikojë qëndrimin tonë këtu me një ndjenjë pozitive”, tha Ton Strooband, Menaxher i Çështjeve Sociale të Fejnordit dhe kreu i Fondacionit Fejnord. “Takimi me përfaqësuesit e AS Roma dhe Fejnord është një përvojë që do ta mbajnë mend gjithmonë. Për më tepër, është mirë që ata shohin se klubet e futbollit në ditët e sotme janë dhe bëjnë më shumë sesa vetëm futboll”.
Aktivitetet do të vazhdojnë duke përfshirë edhe ditën e ndeshjes, me një legjendë të klubit të Romës që do të bëjë një vizitë të veçantë në një qendër sociale që ofron strehim për nënat e vetme dhe fëmijët e tyre, familjet që kërkojnë mbështetje, kujdes për fëmijët e sëmurë rëndë, si edhe për familjet e zhvendosura së fundmi nga tërmetet.
Në këtë aktivitet do të marrin pjesë edhe një sërë viktimash të dhunës në familje, pasi klubi sjell në Tiranë nismën ‘Amami e Basta’ (“Më duaj dhe mjaft”), një fushatë e nisur nga klubi në vitin 2020 për të luftuar dhunën ndaj grave. Mbështetja e klubit për komunitetet lokale do të vazhdojë edhe pasi të përfundojë kjo ndeshje.