Ekskluzive/ Armando Duka: Po ndeshem me sekretarin e PS-së, Fino!
Armando Duka, presidenti aktual i FSHF-së dhe njëkohësisht kandidat për zgjedhjet e reja, më në fund ka vendosur të flasë hapur dhe këtë e ka bërë ekskluzivisht për gazetën “Koha Jonë”.
Në një bisedë mjaft të drejtëpërdrejtë, ai ka treguar arritjet e futbollit shqiptar, ato çka mund të bëheshin më mirë, kualifikimin në Europian, si dhe ka pranuar edhe problemet që ka futbolli shqiptar. Ndër të tjera, Duka shigjeton me ironi kandidatin Bashkim Fino, i cili kandidon me siglën e PS-së, të deputetit dhe sekretarit organizativ të partisë në pushtet për kryetar FSHF-je. Për motivet e kandidimit të Finos, presidenti Duka shton me kunja se “Po të kisha nevojë për kolltuqe të rehatshme do t’i kisha hyrë politikës. Në fakt drejtimin e FSHF unë nuk e konsideroj si një “lopë që duhet mjelë”, por e konsideroj si një nga punët më të komplikuara dhe më të vështira që kam bërë në jetën time”. Pra e quan kandidimin e grupit politik të Finos si mjet për të mjelë Federatën.
Por, pse e quan Finon një kundërshtar të mundur Armando Duka? Çfarë strategjie do të përdorë ai për të fituar kundrejt kundërshtarit në kandidim? Duka thotë hapur se nuk e ka fare në listë Finon pasi kandidon si deputet dhe jo si njeri i futbollit. Ja se ç’thotë Armando Duka: “Kandidimi nuk ka qenë asnjëherë i lehtë. Madje më i vështirë ka qenë atëherë kur jam përballur me figura të spikatura të futbollit, të cilat kishin lënë gjurmë në zemrat e komunitetit futbolldashës, apo përballë atyre që kanë investuar me vite paratë e tyre në futboll, ku edhe në këtë rast mirënjohja e komunitetit është shumë e madhe. Tani që kam përballë një politikan, që është njëkohësisht deputet dhe sekretar organizativ i partisë mendoj se gjërat mund të jenë më të thjeshta. Z.Fino është një dashamirës i flaktë i sportit, por në anën time të peshores rëndon një listë e gjatë arritjesh, të cilat kanë qenë në sytë e shqiptarëve. Z.Fino u duk i bezdisur pak ditë më parë në një dalje televizive nga fakti që mjaft lojtarë të Kombëtares kanë mbështetur kandidaturën time”.
Më tej Duka sqaron se pse fiton përballë Finos si kandidat politik i PS. “Unë me ata djem kam qarë e kam qeshur, në ditë të këqia e në ditë të mira, kam luftuar e kam vuajtur, ashtu sikurse kam gëzuar e kam festuar. Jemi pjesë e një familjeje dhe për këtë është mëse normale të mbështesim njëri-tjetrin. Por ata nuk mbështesin thjesht Armand Dukën, por punën që unë kam bërë në krye të këtij institucioni dhe shpresat qe ngjall kandidatura ime për të ardhmen e FSHF”- shton ai.
Më poshtë, Duka i përgjigjet gazetës KOHA JONË. Por duhet të shtojmë se nuk do të jetë kandidim kaq i lehtë, sepse kandidati tjetër, Fino, ka krejt bashkitë socialiste, ka kryeministrin, ka presidentin e “Partizanit” Gaz Demi, ka strukturat e PS me vete; pra krejt pushteti kandidon.
Duka, keni zyrtarizuar kandidaturën për një tjetër mandat në drejtimin e FSHF-së. Jeni optimist edhe për mandatin e radhës?
Unë jam një njeri, të cilin e karakterizon pasioni dhe optimizmi në punë dhe jetën e tij. Pasioni dhe optimizmi, kanë qenë ndoshta shtysat më të forta për të realizuar gjithë çfarë kemi arritur deri më sot së bashku me kolegët e tjerë në drejtimin e FSHF-së. Nëse nuk do të isha po aq optimist për atë se çfarë jam i vendosur të bëj në të ardhmen në të mirë të futbollit shqiptar, të jeni të bindur se nuk do t’i kisha hyrë fare kësaj gare.
Por optimizmin tim në këtë garë e përforcojnë arritjet e deritanishme të FSHF. Njerëzit flasin shumë për kualifikimin e Kombëtares së Futbollit në Euro 2016 dhe rezultatin e mirë që arriti në eleminatoret e Botërorit 2018. Sigurisht që jam shumë krenar për to. Por ka disa gjëra që për shkak se nuk janë aq të dukshme në sytë e publikut të gjerë kalojnë pa shumë vëmendje.
Kemi një kampionat kombëtar, që me gjithë polemikat e shumta, çka është normale edhe për vende shumë herë më të zhvilluara se ne, por është një nga kampionatet më të forta në Europë e më gjerë. Deri në javën e fundit nuk dihet se kush do të dalë kampion, apo se kush do të bjerë nga kategoria, ndërsa lufta për vendet që të çojnë në kupat e Europës është me të vërtetë për t’u pasur zili.
Në drejtim të masivizimit të futbollit, të paktën 3 mijë futbollistë më shumë janë të regjistruar në këto 4 vite dhe kjo nuk është pak. Kemi krijuar kategoritë e futbollit në të gjitha ligat, madje edhe për të rinjtë, fëmijë dhe femrat. Kemi investuar në infrastrukturë vetëm gjatë 4-vjeçarit të fundit, në bashkëpunim me qeverinë, më shumë se 23 milionë euro, për rikonstruksionin e dy stadiumeve ndërkombëtare, dy stadiumeve kombëtare dhe 18 fushave stërvitore me bar natyral dhe artificial. Nga pikëpamja e promovimit të futbollit, kemi ecur shumë me marketingun dhe sot kampionati ka një çmim përsa i përket të drejtës televizive. Shqipëria është një vend më vizibël në futboll. Kjo ka ndikuar edhe në financimin më të mirë klubeve, të cilët kanë përfituar bonuse shtesë për plotësimin e standardeve të kërkuara në dokumentet bazë të UEFA-s.
Nëse do të flisja për gjithë listën e arritjeve të FSHF në këto vite, kam frikë se do zgjatesha shumë dhe mund të na gjente dita e zgjedhjeve akoma këtu duke folur. Ndaj po ndalem këtu (qesh). Sigurisht kjo është shumë e lidhur me pasionin tim për futbollin dhe veçanërisht suksesin e futbollit shqiptar në të gjitha arenat, vendase apo të huaja.
Cilat janë ambiciet tuaja për drejtimin e këtij mandati që po kërkoni, çfarë do të bëni ndryshe nga mandatet e kaluara dhe objektivat që synoni të realizoni?
Synimet e mia për mandatin e ardhshëm kanë dy pika të forta orientimi. Atë se nga kemi ardhur dhe vizionin se ku duam të çojmë nivelin e futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për një strategji të hartuar nga FSHF që shtrihet deri në vitin 2030 dhe për të cilën ne tashmë kemi hedhur themele të forta.
Kemi bërë një ndryshim rrënjësor në gjendjen e stadiumeve dhe fushave stërvitore. Kemi arritur të plotësojmë pjesën më të madhe të asaj që konsiderohet infrastruktura e futbollit, por investimet në infrastrukturë nuk do të ndalen dhe janë pjesë e rëndësishme e programit tonë për 4 vitet e ardhshme.
Ndërkohë në mandatin e ardhshëm vëmendja jonë do të fokusohet edhe më shumë te investimi në burimet njerëzore. Masivizimi i futbollit dhe përmirësimi i kushteve për fëmijët janë prioritete kryesore të punës sonë. Futbolli mbetet sporti më i dashur për fëmijët, por ne duam që këtë sport ata ta ushtrojnë në mënyrë të organizuar dhe në kushte optimale, për të marrë më të mirën prej tyre dhe për të rritur talentet e reja që do të jenë nesër baza e ekipeve kombëtare, por edhe klubeve të futbollit në vend.
Rritja profesionale e të gjitha aktorëve të futbollit, duke nisur nga trajnerët e të gjithë niveleve. Aktualisht FSHF ka të drejtën për të dhënë licencën UEFA PRO, me të cilën çdo trajner ka të drejtën të trajnojë edhe klubet më të mëdha botërore. Synimi ynë është që çdo trajner që stërvit qoftë edhe ekipet e fëmijëve në vendin tonë të ndjekë kursin dhe të pajiset me licencat përkatëse.
Shkolla e edukimit, do të jetë qendra e përgatitjes dhe kualifikimit të të gjithë hallkave të stafeve futbollistike, që nga përgatitësit atletikë, trajnerët e portierëve, fizioterapistët, drejtorët sportivë e shumë të tjerë.
Futbolli i femrave është parashikuar të ketë një vëmendje të veçantë në strategjinë tonë për të ardhmen. Do të synohet që nëpërmjet kritereve të licensimit gjatë 4 viteve të ardhshme çdo klub në Shqipëri të ketë në strukturën e vet edhe ekipet e femrave të të gjitha moshave.
Ambiciet e mia dhe synimet e FSHF për të ardhmen nuk mbarojnë këtu, por unë në këtë intervistë po ndalem këtu, për të lënë hapësirë për të folur më gjatë në ditët në vijim.
Duket se kandidimi nuk do të jetë i lehtë, pasi përballë keni një ish-kryeministër, deputet dhe fanatik futbolli. Si e shikoni veten në një përballje të tillë në raport me përmirësimin, ose jo të Futbollit shqiptar?
Kandidimi nuk ka qenë asnjëherë i lehtë. Madje më i vështirë ka qenë atëherë kur jam përballur me figura të spikatura të futbollit, të cilat kishin lënë gjurmë në zemrat e komunitetit futbolldashës, apo përballë atyre që kanë investuar me vite paratë e tyre në futboll, ku edhe në këtë rast mirënjohja e komunitetit është shumë e madhe.
Tani që kam përballë një politikan, që është njëkohësisht deputet dhe sekretar organizativ i partisë mendoj se gjërat mund të jenë më të thjeshta. Z.Fino është një dashamirës i flaktë i sportit, por në anën time të peshores rëndon një listë e gjatë arritjesh, të cilat kanë qenë në sytë e shqiptarëve.
Z.Fino u duk i bezdisur pak ditë më parë në një dalje televizive nga fakti që mjaft lojtarë të Kombëtares kanë mbështetur kandidaturën time. Shumë miqësisht do t’i thosha se kjo është gjëja më normale e mundshme. Unë me ata djem kam qarë e kam qeshur, në ditë të këqia e në ditë të mira, kam luftuar e kam vuajtur, ashtu sikurse kam gëzuar e kam festuar. Jemi pjesë e një familjeje dhe për këtë është mëse normale të mbështesim njëri-tjetrin. Por ata nuk mbështesin thjesht Armand Dukën, por punën që unë kam bërë në krye të këtij institucioni dhe shpresat qe ngjall kandidatura ime për të ardhmen e FSHF.
Tek e fundit kolegët e zotit Fino më kanë sulmuar mua, në shumivën e rasteve padrejtësisht, nga pozitat e tifozëve të sëmurë edhe pa marrë unë guximin të kandidoja në politikë. Imagjino çdo të kishte ndodhur të hyja në fushën e tyre (qesh).
Në një emision në fund të vitit 2017 keni deklaruar se vetëm Zoti ju ndalon për të vijuar ose jo në krye të FSHF-së. Nëse ndodh kjo do të thotë se ka vënë dorë “Zoti”, apo ka faktorë të tjerë në mes?
Përgjigjja ime në atë intervistë është nxjerrë nga konteksti. Pyetja ishte: “Nëse një ditë do të thoshit mjaft, stop. Nga se do të vinte kjo”. Sigurisht që përgjigja ime ishte në përgjithësi se çfarë mund të më ndalonte në jetë. Dhe sigurisht vetëm Zoti më ndalon.
Por në drejtimin e FSHF nuk jam unë që e përcaktoj se kur ndaloj. Është një komunitet i tërë njerëzish që i kanë dhënë ndër vite futbollit shqiptar djersën e tyre, gjakun e tyre, shpirtin e tyre. Janë ata që kanë bërë të mahniten shqiptarët, duke harruar madje shpeshherë edhe varfërinë, apo hallet e përditshme. Janë ata profesionistë që e kanë çuar futbollin shqiptar në këto nivele, me të cilat ne krenohemi sot, por edhe ata njerëz të biznesit që kanë investuar me pasion për ngritjen e klubeve të zemrës.
Këta e kanë në dorë të më thonë mjaft në krye të FSHF. Dhe kur të vijë ajo ditë unë do të jem shumë i qetë shpirtërisht, sepse nuk do të kem asnjë dyshim në vendimin e tyre. Për më tutje pastaj, është Zoti që vendos për të gjithë ne.
Pikërisht tani që për herë të parë Shqipëria arriti të futet në Kampionatin Europian ju rivalizojnë me një emër si Bashkim Fino, ndërsa janë shtuar akuzat ndaj jush për manipulim të garës zgjedhore. Mendoni se me një kandidaturë të tillë të rekomanduar le të themi po tentojnë t’ju marrin “kolltukun” e drejtimit të futbollit shqiptar?
Po të kisha nevojë për kolltuqe të rehatshme do t’i kisha hyrë politikës. Në fakt drejtimin e FSHF unë nuk e konsideroj si një “lopë që duhet mjelë”, por e konsideroj si një nga punët më të komplikuara dhe më të vështira që kam bërë në jetën time.
Ju siguroj se të ruash balancat dhe korrektësinë ndër 54 klube futbolli dhe 864 ekipe futbolli, të cilat pavarësisht se sa të mëdha janë, sa rezultate kanë, apo sa investime kanë bërë, kërkojnë të jenë të gjithë në vend të parë, madje siç thotë një barsaletë e vjetër, kërkojnë ta kenë “autobuzin për së gjeri”, nuk është aspak një detyrë e lehtë.
Në pozicionin tim shpehherë kam marrë kostot negative të punës jo të mirë të shumë individëve që janë pjesë e sistemit të futbollit shqiptar. Për çdo penallti të dhënë apo të pa dhënë në të gjitha ligat e futbollit shqiptar, pas arbitrit shahem unë si president i FSHF. Janë kosto të padrejta, të cilat ndikojnë edhe në vlerësimin e punës së FSHF dhe times si drejtues i saj.
Por unë jam i përgatitur shpirtërisht për këto kosto, madje dhe për akuzat e padrejta që më bëhen nga persona, të cilët në pjesën më të madhe nuk i lidh asgjë me futbollin, por thjesht hedhin shashka nga matanë gardhit, teksa janë duke u zdërhallur në ndonjë kafene blloku. Tani nuk u ka mbetur gjë tjetër, veçse të më akuzojnë edhe për prishjen e procesit zgjedhor të Federatës së Tavllës.
Ligjshmërinë e procesit zgjedhor në FSHF nuk e përcakton dhe as mund ta prishë Armand Duka, apo kushdo qoftë kryetar i FSHF. Sepse rregullat janë përcaktuar dhe mbrohen e miratohen nga Asambleja e Përgjithshme, ku unë nuk kam asnjë votë. E gjithë përpjekja për të përbaltur procesin është një model që na vjen nga politika shqiptare, një tymnajë për të justitifkuar humbjen.
Si mendoni t’i merrni votat nga ato bashki te PS-së, të cilat me shumë gjasë do të marrin urdhër politik që të votojnë rivalin tuaj?
Unë besoj së drejtuesit e pushtetin vendor janë më të interesuar për të mbrojtur interesat e atyre që i kanë zgjedhur, interesat e bashkive të tyre dhe sigurisht edhe interesat e ekipeve që ata kanë në varësi, se sa të orientohen nga urdhërat e sekretarit organizativ të partisë që i përkasin.
Ju siguroj se nuk ka asnjë bashki apo klub futbolli në Shqipëri që nuk e ka ndjerë kujdesin e Federatës dhe përpjekjet tona për t’i ndihmuar qoftë financiarisht, qoftë me investime infrastrukturore. Sigurisht që do të donim të kishim bërë shumë herë më tepër, por mundësitë reale ekonomike në vendin tonë këto janë. Ne jemi një federatë e vogël, që vetëm falë menaxhimit shumë të mirë kemi arritur të jemi efikasë në mbështetje të klubeve dhe bashkive.
Personalisht besoj shumë në integritetin moral të të gjithë drejtuesve të bashkive dhe klubeve, madje edhe në rastet e atyre që kanë ndonjë qejfmbetje me ndonjë arbitër dhe për këtë më kanë futur edhe mua ndonjë të sharë. Unë besoj se kur të jenë përpara kutisë së votimit ata do të dijnë të vlerësojnë të mirën dhe perspektivën e ekipeve të tyre, duke e dalluar nga urdhri i sekretarit të partisë apo nga qejfmbetjet e çastit për një penallti apo një 3-pikësh të humbur.
Ndonjë strategji për përballimin e rivalit politik që do të kandidojë për në krye te FSHF?
Strategjia ime është për futbollin, sepse në fund të fundit gara për kreun e FSHF zgjat vetëm 1 muaj, ndërsa e ardhmja e futbollit shqiptar nuk mund të matet me mandatet e kryetarëve të saj. Prandaj unë jam fokusuar tërësisht te programi im, i cili siç e thashë më lart parashikon ndërhyrje në të gjitha hallkat e futbollit shqiptar.
Nëse e keni fjalën për strategji elektorale, harrojeni. Unë nuk kam hyrë në këtë garë për të bërë spektakle elektorale. Nuk jam as si natyrë njeri i deklaratave të bujshme, kulisave elektorale, apo reklamave të ekzagjeruara.
Unë hyj në këtë garë për t’i shërbyer futbollit. Për të evidentuar edhe njeherë se çfarë kemi bërë dhe për t’u treguar të gjithëve se si mund të shkohet përpara, me rezultate të reja edhe më të larta se ato që kemi arritur deri tani. Liga e Kombeve dhe Europiani 2020 janë shumë afër. Unë jam njeriu i fjalës së mbajtur.
Cili është raporti i UEFA-s me politikën përtej futbollit dhe a mendoni se do të ketë ndonjë reagim nga kryeqendra e Futbollit për faktin se z. Fino vjen drejtpërdrejtë nga struktura politike?
Kur thua vjen drejtpërdrejtë duket sikur i ka shkëputur marrëdhëniet me politikën, ndërkohë që ai po garon duke qenë pjesë aktive e politikës. Personalisht nuk kam asnjë problem. Jam mësuar të përballem me politikën në të gjitha format, madje edhe atëherë kur politika është bërë shumë agresive.
Por nuk mund ta fsheh se në opinionin publik, por edhe në atë ndërkombëtar kjo garë nuk është shumë “Fair Play”. Statutet e FIFA dhe UEFA përcaktojnë qartë se drejtuesit dhe politikat e federatave të futbollit duhet të jenë “qartësisht të ndara nga çdo lloj ndikimi politik, apo fetar”. Ndaj mendoj se kandidimi i z.Fino pa u shkëputur nga politika në një mënyrë apo një tjetër e cenon imazhin e mirë që me shumë mundim kemi mundur të ndërtojmë për FSHF në arenën ndërkombëtare.
Dy ditë më parë keni marrë në Kosovë Çmimin e Mirënjohjes të FFK, për kontributin tuaj në forcimin e bashkëpunimit midis dy federatave. Çfarë do të thotë për ju ky çmim?
Që të jem i sinqertë është ndoshta çmimi më i rëndësishëm për mua. Kam qenë një nga përkrahësit dhe lobuesit më të fortë të pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA, i bindur se vetëm kështu futbolli kosovar do të kishte mundësitë e duhura të zhvillohej siç e meriton. Por nga ana tjetër i vetdijshëm se ky ishte edhe një hap i rëndësishëm në rrugën e njohjes ndërkombëtare dhe konsolidimit të imazhit të shtetit të ri të Kosovës.
Kam qenë ndër ata persona që kishin një bindje të verbër se Kosova do t’ia dilte, pavarësisht shumë vështirësive, më së shumti politike se sa sportive që i dilnin përpara. Dhe në fund ia dolëm. Për këtë kam qenë dhe mbetem shumë krenar.
Intervistoi: Albina Gjergji