Ekskluzive/ Gresild Lika: Frymëzohem nga Ronaldo, mbrojtësi më i mirë është …

Gresild Lika është një zbulimet e këtij sezoni në Kategorinë Superiore. Talenti i skuadrës së Luftëtarit ka arritur që të tregojë vlerat e tij duke shënuar jo vetëm gola “me peshë”, por edhe me një ekzekutime mjeshtërore. Në një intervistë për gazetën “Koha Jone”, 22-vjeçari ka konfirmuar se të gjithë futbollistët kanë dalë negativ në tamponet e kryer dje te ekipi gjirokastrite. Lika veçon golin kundër Teutës, ndërkohë që frymëzim në karrierën e tij është Cristiano Ronaldo.

Keni kaluar gati dy muaj pa luajtur futboll, si ka qenë periudha e izolimit për ju?

Ka qenë një periudhë shumë e vështirë, pasi jam mësuar gjatë gjithë kohës me stërvitje dhe me ndeshje. Jo vetëm për mua, por për çdo person që merret me futboll nuk ka qenë një kohë e lehtë.

Ditën e djeshme keni kryer tampone për Covid-19, i keni marrë përgjigjet?

Po, kemi bërë tamponet të gjithë lojtarët që kemi ardhur nga zonat e kuqe. Të gjithë dolëm negativ.

Si është gjendja juaj fizike dhe mendoni se kjo periudhë është e mjaftueshme për të qenë gati më 3 qershor?

Vijmë nga një kohë e gjatë pushimesh dhe sigurisht që nuk jemi në gjendjen e duhur fizike. Kaq ditë nuk janë të mjaftueshme, por përderisa ata që janë më lart se ne kanë menduar kështu, duhet të përshtatemi dhe të pranojmë vendimet.

Keni pasur probleme në aspektin financiar me rrogat te klubi i Luftëtarit?

Jo, klubi dhe presidenti është treguar shumë korrekt me rrogat.

Këtë sezon keni shënuar 4 gola, cilin do të veçoni nga ekzekutimi dhe rëndësia?

Të 4 golat e shënuar kanë qenë të rëndësishëm, pasi i kam sjellë 5 pikë ekipit, por me i veçanti ka qenë ai ndaj Teutës nga 30 metra … Stërvitem shumë në goditjet standarde ndaj dhe arrita ta realizoja.

Nga ekzekutimi, ka ngjashmëri me golat e Ronaldos, ai është futbollisti juaj i preferuar?

Sigurisht që po. Jam rritur duke ndjekur CR7. Ai është një shembull dhe idhulli im.

Le të flasim pak për të ardhmen Gresild. Keni pasur ndonjë ofertë në merkato në javët e fundit?

Unë do të vazhdoj që të jap maksimumin tek Luftëtari. Deri në ndeshjen e fundit do ta respektoj kontratën. Nëse del ndonjë ofertë rrugës, të ardhmen time e dinë vetëm drejtuesit e Luftëtarit dhe menaxheri im.

Cili është mbrojtësi që ju ka vendosur më në vështirësi këtë sezon?

Superliga është kampionat shumë i fortë, me lojtarë mjaft të fortë, por dua të veçoj Lorenc Trashin. Ai është i vetmi që më ka vendosur në vështirësi, ndërkohë që portieri më i vështirë është Dashamir Xhika.

/Intervistoi: Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP