Eksod te Kosova, largohen zyrtarisht edhe dy lojtarë të tjerë
Java e fundit ka sjellë zhvillime të shumta në kampin e përfaqësueses së Kosovës, në një periudhë të shoqëruar me debate rreth situatës së krijuar pas vendimit të kapitenit Amir Rrahmani për t’u larguar nga kombëtarja dhe për ta çuar çështjen në drejtësi.
Ndërsa trajneri Franco Foda ka mohuar mundësinë e një bojkoti nga lojtarët dhe ka kërkuar që situata të mos dramatizohet, Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar për largimin e dy veteranëve të ekipit.
Bëhet fjalë për Valon Berishën dhe Fidan Alitin, të cilët kanë vendosur të mbyllin aventurën e tyre me “Dardanët”.
Berisha, 33 vjeç, largohet pas 52 paraqitjesh dhe katër golash me Kosovën. Në mesazhin e tij të lamtumirës, mesfushori kujtoi rrugëtimin e nisur dhjetë vite më parë dhe theksoi krenarinë për përfaqësimin e Kosovës.
Ndërkohë, 32-vjeçari Fidan Aliti e mbyll eksperiencën me 64 ndeshje të zhvilluara me përfaqësuesen. Edhe ai e cilësoi fanellën e Kosovës si një prej nderimeve më të mëdha të karrierës.
Në listën e largimeve është edhe Florent Hadërgjonaj, i cili nuk është grumbulluar nga Foda. Kosova pritet të ketë një kalendar të ngjeshur në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit, me ndeshje ndaj Irlandës, Austrisë dhe Izraelit.
KOHA JONË SONDAZH

