“El Clasico” ndez futbollin botëror. Barcelona e Real në garë për titull, Xavi e Ancelotti duan rekorde
Sonte në Spanjë do të luhet ndoshta “El Clasico” më i nxehtë në vitet e fundit. Përveç se garës për titullin kampion, Real Madrid i ka hedhur benzinë zjarrit duke kërkuar ndëshkimin e Barcelonës për shkak të skandalit të shpërthyer në Katalonjë.
Një fitore në shtëpi do të nënkuptonte se Barcelona mund të shkojë e qetë në pushimin prej kombëtareve, pasi do të numëronte 12 pikë më shumë se Real Madrid 12 javë para fundit. Ndërkaq, kjo sfidë vlen edhe për teknikun Xavi, pasi do të përpiqet të bëhet trajneri i 28 i klubit që fiton “El Clasicon”.
Skuadra e Barcelonës do të veshë një fanellë speciale në këtë duel “Rosalia el Casico” për të dërguar në një tjetër nivel falenderimin e klubit spanjoll për këngëtaren katalanase, Rosalia, albumi i të cilës është një hit ndërkombëtar.
Barcelona është e pamposhtur në kampionat në 12 sfidat e fundit, duke rritur shanset për një fitore. Kjo mund të rezultojë edhe derbi i fundit për shumë futbollistë, mes të cilëve kapiteni Sergio Busquets në fund të kontratës me Barcelonën.
Në krahun tjetër, Real Madrid kërkon të mbajë gjallë shpresat për mbrojtjen e titullit. Carlo Ancelotti është shumë pranë historisë. Italiani pritet të bëhet trajneri i pestë i Mbretërorëve që fiton të paktën katër “El Clasico” në La Liga.