Elbasani i falet Ibraimit në shtesë dhe siguron kalimin për në çerekfinale të Kupës
Elbasani ka siguruar kualifikimin për në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë pas një fitoreje dramatike 2-1 ndaj Flamurtarit, në një ndeshje që u vendos vetëm në minutat e fundit të kohës shtesë.
Verdheblutë kaluan të parët në avantazh në minutën e 29-të, kur Lajthia provoi nga distanca dhe Veiga, me një devijim me kokë, e dërgoi topin në rrjetë duke e nxjerrë jashtë loje portierin Kaloshi. Flamurtari reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të barazojë në minutën e 59-të: Urbaez shërbeu në qendër për Baeten, tentativa e të cilit u ndal nga Totoshi, por Oshafi ishte i vëmendshëm dhe përfitoi nga topi i kthyer për të vendosur ekuilibrat.
Me rezultatin e pandryshuar pas 90 minutave, sfida u zhvendos në shtesë, ku tensioni dhe lodhja bënë të vetën. Kur gjithçka po shkonte drejt penalltive, në minutën e 114-të erdhi momenti magjik i Donart Ibraimit.
Mesfushori përfitoi nga zhvillimi i një goditjeje këndi, priti topin në kufijtë e zonës dhe me të majtën lëshoi një goditje spektakolare, duke i dhënë Elbasanit fitoren dhe kualifikimin e shumëpritur.
KOHA JONË SONDAZH

