Elbasani reagon për episodin e penalltisë: Asnjë nga lojtarët e Partizanit nuk reagoi!
Elbasani ka reaguar zyrtarisht pas polemikave që shpërthyen në ndeshjen çerekfinale të Kupa e Shqipërisë ndaj FK Partizani Tirana, duke mbrojtur vendimin e gjyqtarit Eldorjan Hamiti për penalltinë e akorduar në fundin e takimit.
Verdheblutë siguruan kualifikimin për në gjysmëfinale pasi fituan 3-1 në stadiumin Arena e Demave. Megjithatë, momenti që ndezi polemikat ishte një penallti e dhënë në minutat e fundit për Elbasanin, vendim që u kundërshtua ashpër nga klubi kryeqytetas.
Partizani reagoi zyrtarisht duke e konsideruar të gabuar vendimin e arbitrit, ndërsa ngriti pretendime edhe për një penallti të paakorduar në favor të tyre në kohën shtesë.
Ndryshe nga reagimet e zakonshme në futbollin shqiptar, këtë herë ishte vetë Elbasani që doli publikisht në mbrojtje të arbitrit. Në reagimin e publikuar nga klubi, theksohet se vendimi për penalltinë ishte i drejtë dhe i bazuar në rregullat e lojës.
“Penalltia e akorduar në favor të skuadrës sonë ishte një vendim i drejtë, pasi kontakti ndaj lojtarit tonë brenda zonës ishte i dukshëm dhe në përputhje me rregullat e lojës”, thuhet në reagimin zyrtar të klubit elbasanas.
Sipas verdhebluve, pamjet e plota të aksionit tregojnë qartë episodin, ndërsa theksohet se asnjë nga lojtarët e Partizanit nuk reagoi menjëherë në fushë, pasi situata ishte e qartë për të gjithë ata që ndodheshin pranë aksionit.
KOHA JONË SONDAZH

