Eliminimi nga Championsi i kushton Interit, 65 milionë euro më pak në llogari
Eliminimi i hershëm i Inter nga UEFA Champions League nuk është vetëm një goditje sportive, por edhe ekonomike për klubin zikaltër. Pas humbjes së fundit ndaj Bodo/Glimt, rrugëtimi europian i këtij sezoni mbyllet me të ardhura pak mbi 71 milionë euro. Një shifër që deri dy vite më parë do të konsiderohej e mirë, por që sot duket e ulët krahasuar me sezonin e kaluar, kur Interi përfitoi shumë nga formati i ri i kompeticionit.
Në edicionin e shkuar, zikaltërit, pavarësisht humbjes në finale ndaj Paris Saint-Germain, arkëtuan rreth 136 milionë euro nga Championsi. Diferenca është rreth 65 milionë euro më pak këtë sezon. Kësaj shume i shtohen edhe të ardhurat e humbura nga biletat, pasi vitin e kaluar nga faza e 1/8-ave e deri në gjysmëfinale, stadiumi garantonte mesatarisht rreth 9 milionë euro për ndeshje.
Kjo rënie pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe në bilancin financiar të klubit. Sezoni i fundit, i shtyrë nga ecuria europiane e skuadrës së drejtuar nga Simone Inzaghi, u mbyll me të ardhura rekord prej 567 milionë eurosh dhe fitim neto 35.4 milionë euro,rezultati i parë pozitiv në historinë e viteve të fundit të klubit.
Fitimi përfaqësonte një përmirësim prej rreth 70 milionë eurosh krahasuar me vitin pararendës, pothuajse e njëjta shumë që tani mungon nga Championsi. Megjithatë, sipas vlerësimeve aktuale, Interi mund ta mbyllë sërish bilancin në ekuilibër edhe pa qenë i detyruar të shesë një yll të madh gjatë verës.
KOHA JONË SONDAZH

