Eliminimi nga Championsi, Interi merr vendimin për trajnerin Chivu
Pavarësisht zhgënjimit europian pas humbjes ndaj Bodø/Glimt, e ardhmja e Interit me trajnerin Cristian Chivu duket e sigurt dhe afatgjatë.
Sipas raportimit të Il Giornale, drejtuesit zikaltër, të kryesuar nga presidenti Giuseppe Marotta, janë plotësisht të kënaqur me punën e teknikut rumun. Interi kryeson kampionatin dhe mbetet ende në garë për Kupën e Italisë, duke konfirmuar stabilitet dhe ambicie në sezonin e parë të Chivut në krye të ekipit të parë.
Si shpërblim për paraqitjet dhe soliditetin e treguar, klubi është gati t’i ofrojë një rinovim kontrate deri në vitin 2028, me opsion zgjatjeje edhe për vitin 2029. Marrëveshja e re do të shoqërohet me një rritje të pagës, një sinjal i qartë i besimit që drejtuesit kanë ndaj ish-mbrojtësit të tyre.
Interi e konsideron Chivun si figurën e duhur për të hapur një cikël të ri suksesi, duke ndërtuar një projekt të qëndrueshëm dhe fitues për vitet në vijim.
KOHA JONË SONDAZH

