Ende nuk ka rinovuar me Realin, 5 skuadra angleze në garë për Vinicius Jr
Në Madrid po kalohet një nga sezonet më delikate të viteve të fundit, me klimën rreth Real Madrid që mbetet e tensionuar si për tifozët, ashtu edhe për drejtuesit. Në pritje të një bilanci final të sezonit, vëmendja e klubit është zhvendosur te çështjet e brendshme, ku në qendër qëndron e ardhmja e yllit brazilian Vinícius Júnior.
Presidenti Florentino Pérez e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të heqë dorë nga një nga asetet më të rëndësishme të skuadrës, por në të njëjtën kohë nuk është i gatshëm të tejkalojë kufijtë financiarë për të siguruar rinovimin e tij. Një ofertë e re kontrate, me kushte të përmirësuara, është vendosur tashmë në tryezë, por ende mungon një përgjigje përfundimtare nga lojtari.
Aktualisht, Vinícius është i lidhur me klubin madrilen deri në vitin 2027, megjithatë kjo verë konsiderohet vendimtare: ose do të arrihet një marrëveshje e re, ose lojtari mund të nxirret në shitje. Drejtuesit nuk duan të rrezikojnë hyrjen në sezonin e ardhshëm me një futbollist kyç që i afrohet vitit të fundit të kontratës.
Ndërkohë, situata e tij po ndiqet me interes të madh nga klubet elitare europiane, veçanërisht në Premier League. Sipas raportimeve nga mediat britanike, pesë gjigantë të futbollit anglez, Arsenal, Manchester United, Liverpool, Manchester City dhe Chelsea, janë të gatshëm të futen në garë për të siguruar shërbimet e tij. Në këtë betejë të madhe financiare nuk mbeten pas as klubet nga Arabia Saudite, të cilat vijojnë të tregojnë ambicie të forta për të tërhequr emrat më të mëdhenj të futbollit botëror.
KOHA JONË SONDAZH

