Erdhi me bujë në janar, sulmuesi nga Guinea largohet nga Teuta
Pandemia e koronavirusit ka ndikuar jo pak në ekipet e Superligës, që po hasin vështirësi të mëdha për të paguar futbollistët. Së fundmi është njoftuar që Idelino Gomes është larguar nga klubi i Teutës, edhe pse erdhi me shumë bujë në janar. Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, klubi durrsak bën me dije se nga sot, aventura e futbollistit me klubin durrsak ka përfunduar. Drejtuesit dhe lojtari kanë gjetur gjuhën e përbashkët, kësisoj Gomes është larguar me konsensus nga bregdetarët.
“Zyrtare: Idelino Gomes largohet nga Teuta. Klubi njofton se nga sot sulmuesi ka përfunduar aventurën e tij me ekipin e Teutës. KF Teuta falënderon Gomes për kontributin e dhënë me fanellën e Teutës dhe i urojmë futbollistin të ketë shëndet dhe shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij”, shkruhet në njoftim.
Sulmuesi nga Guinea-Bissau në 8 ndeshje me Teutën në Superiore, arriti të shënonte vetëm 1 gol, duke pasur një rendiment shumë të ulët në pjesën e dytë të sezonit.