Ernest Muçi i papërmbajtshëm, shënon tjetër super gol në Turqi (VIDEO)
Ernest Muçi vazhdon të shkëlqejë në Superligën turke, duke firmosur një tjetër paraqitje vendimtare me fanellën e Trabzonsporit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte heroi i skuadrës së tij në transfertën ndaj Kocaelispor, ku me një gol në minutat shtesë i dha fitoren 2-1 ekipit të tij, në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të të kampionatit.
Takimi nisi me avantazhin e vendasve, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 18-të me Petkovic. Reagimi i Trabzonsporit ishte i shpejtë dhe konkret, teksa Felipe Augusto barazoi rezultatin në fund të pjesës së parë, duke rikthyer ekuilibrin në ndeshje.
Kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, në minutën e parë shtesë të pjesës së dytë, Muçi mori përgjegjësinë. Pas një asistimi nga Zubkov, ai u fut me vendosmëri në zonë dhe me një goditje të saktë me të djathtën, nga kufijtë e zonës së rreptësisë, dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur fitoren e madhe në transfertë.
Me këtë sukses, Trabzonspor ngjitet në vendin e tretë të renditjes me 38 pikë, ndërsa për Muçin ky ishte goli i 10-të sezonal, një tregues i qartë i formës së shkëlqyer që po kalon.

KOHA JONË SONDAZH

