Ernest Muçin shkëlqen me asist në fitoren e Trabzonsporit
Trabzonspor ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur 2-1 Gaziantep në ndeshjen e javës së 23-të të Süper Lig.
Sfida u vendos që në pjesën e parë, ku të tre golat u shënuan brenda pesë minutash. Vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 22-të me Mohamed Bayo. Reagimi i Trabzonsporit ishte i menjëhershëm, pasi vetëm dy minuta më pas Felipe Augusto barazoi shifrat, duke shënuar pas një asisti të saktë nga Ernest Muçi.
Për sulmuesin e kombëtares shqiptare ky ishte asisti i pestë në kampionat këtë sezon, ndërsa numëron edhe 10 gola në elitën turke. Në minutën e 27-të erdhi edhe goli i përmbysjes, kur Paul Onuachu realizoi për 2-1, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund të takimit.
Me këtë sukses, Trabzonspor mban vendin e tretë me 48 pikë, shtatë më pak se kryesuesit e Galatasaray.

KOHA JONË SONDAZH

