Etrit Berisha mendon largimin nga futbolli

Karriera e Etrit Berishës mund të jetë pranë fundit. Problemet e vazhdueshme fizike, veçanërisht me shpinën, po e vënë në dyshim vazhdimin e futbollit të luajtur për ish-portierin e Kombëtares shqiptare, i cili aktualisht është pjesë e Häcken në kampionatin suedez.

Në një intervistë për mediat suedeze, 37-vjeçari ka zbuluar vështirësitë e mëdha me të cilat është përballur gjatë periudhës së fundit, duke pranuar se dhimbjet kanë ndikuar ndjeshëm në përditshmërinë dhe performancën e tij.

Sipas Berishës, ngarkesa e madhe e ndeshjeve dhe përdorimi i shpeshtë i fushave me bar artificial kanë rënduar gjendjen e shpinës, duke e detyruar shpesh të aktivizohej nën efektin e medikamenteve.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Sezonin e kaluar nuk e respektova trupin tim. Luaja vazhdimisht dhe merrja ilaçe çdo ditë, sepse kalendari ishte shumë i ngjeshur. Bari artificial është shumë i dëmshëm për shpinën. Do të shkoj në Norvegji për kontrolle të detajuara dhe më pas do të vendos për të ardhmen. Nuk e përjashtoj largimin, por për momentin nuk di se çfarë do të ndodhë,” u shpreh portieri shqiptar.

Swiss Digital Mobile Reklama

E ardhmja e tij mbetet e hapur, mes një largimi të mundshëm nga klubi suedez dhe vendimit të vështirë për t’i dhënë fund karrierës para kohe.

Berisha ka qenë një nga figurat kyçe të Kombëtares shqiptare për më shumë se një dekadë. Ai ka zhvilluar 81 ndeshje me fanellën kuqezi nga viti 2012 deri në 2024, duke qenë lider i ekipit dhe pjesëmarrës në dy Kampionate Europiane, Francë 2016 dhe Gjermani 2024. Një karrierë e pasur, që tani rrezikon të mbyllet përpara kohe për shkak të problemeve shëndetësore.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?