Europa League/ Bologna “paqe” me Romën, Aston Villa mposht Lille
Kanë përfunduar përballjet e para të ditës në fazën e 1/16-ave të Europa League, me ndeshjet e vajtjes që prodhuan rezultate interesante dhe disa surpriza.
Në sfidën mes dy skuadrave të Serie A, Bologna dhe Roma barazuan 1-1 në stadiumin Renato Dall’Ara. Të dy golat erdhën në pjesën e dytë të takimit. Vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 50-të me Federico Bernardeschi, i cili realizoi me një goditje të bukur me të majtën nga brenda zonës. Reagimi i romanëve erdhi në minutën e 71-të, kur Lorenzo Pellegrini, i futur nga stoli, barazoi pas asistit të Donyell Malen.
Fitore të rëndësishme në transfertë mori edhe Porto, që triumfoi 1-2 ndaj Stuttgart në Gjermani. Portugezët shfrytëzuan dy gabime të kundërshtarëve për të gjetur rrugën e rrjetës: fillimisht shënoi Terem Moffi në minutën e 21-të, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë dyfishoi shifrat Rodrigo Mora. Gjermanët reaguan në minutën e 40-të me golin e Deniz Undav pas një aksioni të gjatë, por rezultati 1-2 mbeti i pandryshuar deri në fund.
Një tjetër sukses në transfertë regjistroi Aston Villa, që mposhti minimalisht Lille me rezultatin 0-1. Golin vendimtar për skuadrën angleze e shënoi Ollie Watkins në pjesën e dytë të takimit. Ndërkohë në Athinë, Panathinaikos siguroi një fitore minimale 1-0 ndaj Real Betis. Goli i vetëm i sfidës erdhi në minutat e fundit nga pika e bardhë, me Vicente Taborda që u tregua i saktë nga penalltia.
KOHA JONË SONDAZH

