Europiani U-17/ Shqipëria mundet me “poker” nga Gjermania
Kombëtarja shqiptare U-17 zhvilloi sot ndeshjen e dytë në Kampionatin Europian, përballë Gjermanisë, në stadiumin “Elbasan Arena”.
Kuqezinjtë u mundën me rezultatin 0-4. Golat për gjermanët u shënuan nga Jeremiah Mensah, Alexander Staff, Wisdom Mike dhe Keziah Oteng-Mensah.
Gjermania kaloi në avantazh që në minutën e 7-të me golin e Mensah. Shqipëria reagoi menjëherë dhe në minutën e 14-të ishte shumë pranë barazimit, por Kulla dhe Sheji u ndalën nga portieri gjerman, që ishte vendimtar në këtë aksion.
Në minutën e 20-të, “panzerat” realizuan golin e dytë me Staff dhe pjesa e parë u mbyll 2-0 në favor të tyre.
Në pjesën e dytë, Gjermania shënoi edhe golin e tretë me Mike në minutën e 65-të.
“Panzerat” fituan një penallti në të 85-ën, që u shndërrua në gol nga Keziah Oteng-Mensah, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-0.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë të grupit ndaj Francës, më 25 maj, në “Elbasan Arena”, në orën 20:30.
KOHA JONË SONDAZH

