Ferencvaros “mashtron” që Uzuni të luajë ndaj Cristiano Ronaldos

Myrto Uzuni humbi shansin e artë që të përballej me Lionel Messin në “Camp Nou” të martën në mbrëmje. Sulmuesi u grumbullua me Kombëtaren tonë, por u largua për shkak të një dëmtimi te skuadra hungareze e Ferencvaros. Gjatë përgatitjeve për ndeshjen ndaj Barcelonës, për fatin e keq, sulmuesi beratas u infektua me koronavirus, teksa lajmi mori “dhenë” shumë shpejt në mediat e vendit tonë. Gjithsesi Ferencvaros u tregua shumë i rezervuar, për një arsye shumë domethënëse, duke mos dhënë ansjë informacion për mungesën e tij.

Në fakt në Hungari ekziston një ligj i pakuptimtë atje ku çdo lojtar që rezulton pozitiv me Koronavirus, duhet që të qëndrojë për 1 muaj larg fushave të blertë. Ndërkohë që organizata botërore shëndetësore e ka përcaktuar 14-ditëshin mëse të mjaftueshëm nëse merret përgjigja e dytë negative. Ashtu siç do të ndodhte edhe me Zlatan Ibrahimoviç që do të kthehej dhe do të vendoste derbin kundër Interit, pasi mposhti në fillim pandeminë. E pikërisht për këtë arsye ekipi hungarez nuk ka bërë asnjë publikim zyrtar se Myrto Uzuni është infektuar me koronavirus.

Në Hungari mendojnë që ta fshehin këtë çështje në mënyrë që pas daljes së testit negativ, sulmuesi shqiptar të rikthehet menjëherë në fushë. Kjo u kuptua më së miri në fjalët e trajnerit të Ferencvaros pas ndeshjes, Rebov, i cili u shpreh: “Uzuni ka munguar në ditën sotme (të martën) pasi është i dëmtuar. Ne urojmë që të kthehet sa më shpejtë”. Në këtë mënyrë lojtarit kuqezi nuk do t’i ikin edhe dy ndeshje të tjera nga “Championsi”, por mund të kthehet kundër Juventusit dhe të humbasë vetëm sfidën e ardhshme kundër Dinamo Kiev. Ëndrra e tij për të sfiduar Messin dhe Ronaldon ende nuk ka marrë fund, pasi gjasat janë të mëdha, falë strategjisë së klubit hungarez.

SHKARKO APP