FIFA bllokon merkaton e Tiranës, dështon rikthimi i Bakajt
Tirana nga shiu në breshër. Klubi bardheblu nëpërmjet një komunikate për shtyp konfirmoi zërat që kishin nisur të qarkullonin prej disa orësh. Merkato bardheblu për sesionin e dimrit është e bllokuar nga FIFA për shkak të borxheve të prapambetura. Dështon në këtë mënyrë afrimi i Elis Bakajt, akordi me të cilin ishte arritur dhe që ishte një shkëndijë shprese në këto ditë të zymta për ngjyrat bardheblu. Këtë të enjte klubi njoftoi prezantimin e fantazistit për mesditën e së premtes, event që më pas u anulua dhe tanimë të gjitha arsyet janë të qarta. Bakaj nuk mund të afrohet te Tirana, ashtu si askush tjetër, merkato bardheblu është e bllokuar nga Fifa me klubin që saktëson se dënimi vlen vetëm për merkaton e janarit.
Edhe pse nuk është zyrtare, burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit përmendin si shkak të dënimit emrin e Martin Kavdanskit, mbrojtësit bullgar të afruar në verën e 2015 i cili kishte fituar gjyqin me Tiranën në Fifa, por në 25 gushtin e vitit të kaluar Tirana ka dalë me një njoftim zyrtar ku siguron opinionin publik se pagesa ndaj është mbrojtësit bullgar kryer në kohë. Presidenti i klubit, Refik Halili në daljet e tij pubolike ka bërë të ditur disa herë se shlyerja e borxheve ka qenë një prioritet për klubin, por tani është e qartë se mosrespektimi i afateve ka penalizuar Tiranën.
24 herë kampionët bëjnë të ditur se do të marrin masa për likudiimin e gjithë borxheve nga e shkuara për të zeruar problemet dhe nisur një cikël të ri pa detyrimin për sezonin e ardhshëm. Në një farë mënyre është një pranim nga ana e klubit për një tjetër vit zero për Tiranën e cila një ditë para nisjes së kampionatit me ndeshjen e parë zyrtare për 2017 endet mes një mori problematikash që kërkojnë zgjidhje.
KOHA JONË SONDAZH

