FIFA miraton shpërblime rekord për Botërorin 2026, ja sa do të përfitojë Shqipëria nëse kualifikohet
Këshilli i FIFA-s ka përcaktuar shumat financiare që do t’u ndahen përfaqësueseve kombëtare pjesëmarrëse në Kupën e Botës 2026, si dhe ekipit që do të ngrejë trofeun. Sipas asaj që raporton e përditshmja spanjolle AS, është miratuar një fond shpërblimesh rekord gjatë mbledhjes së zhvilluar në Doha, në prag të finales së Kupës Interkontinentale.
Çdo Federatë që do të marrë pjesë në turne do të përfitojë të paktën 10 milionë euro, ndërsa Kombëtarja fituese do të arkëtojë edhe 50 milionë euro shtesë. Në total, kampionia e botës mund të arrijë një shpërblim prej 60 milionë eurosh, një shifër historike për kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit për kombëtare.
Në këtë mënyrë Shqipëria do të arkëtojë plotë 10 milionë euro nëse do të arrijë të kualifikohet pas Play Off-it.
Bëhet fjalë për një rritje të ndjeshme krahasuar me edicionet e mëparshme: në Botërorin e vitit 2022, Argjentina fitoi rreth 42 milionë euro pas triumfit në Katar, ndërsa Franca arkëtoi 38 milionë euro pas suksesit në Rusi në vitin 2018.
Sipas AS, ky rritim lidhet me disa faktorë kyç, mes tyre numri më i madh i skuadrave pjesëmarrëse, 48 për herë të parë në historinë e Botërorit, rritja e të ardhurave nga të drejtat televizive, kërkesa e lartë për bileta dhe interesi gjithnjë në rritje komercial që eventi gjeneron në tre vendet pritëse: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

