FIFA mohon akuzat: Nuk po e shesim futbollin, vazhdon plani për investitorë privatë

FIFA ka reaguar ndaj kritikave të fundit, duke mohuar kategorikisht se synon të “shesë futbollin”. Përmes një deklarate zyrtare, institucioni më i lartë i futbollit botëror theksoi se raportimet e disa mediave kanë qenë të pasakta, ndërsa konfirmoi se do të vazhdojë me projektin për përfshirjen e investitorëve privatë në aktivitetet e saj tregtare.

Reagimi i FIFA-s vjen pas kundërshtimit të fortë nga UEFA, e cila ka paralajmëruar se mund të bojkotojë Kupën e Botës nëse reforma miratohet. Edhe CONCACAF, konfederata që përfaqëson federatat e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve, ka refuzuar zyrtarisht planin e propozuar nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Për të siguruar miratimin e reformës, Infantino duhet të marrë mbështetjen e të paktën 106 prej 211 federatave anëtare të FIFA-s. UEFA dhe CONCACAF së bashku disponojnë 96 vota, duke përbërë një bllok vendimtar në procesin e votimit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në deklaratën e saj, FIFA thekson se debati është ndikuar nga “informacione të pasakta të shpërndara nga mediat” dhe garanton se procesi i konsultimit do të jetë i hapur dhe demokratik.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Respektojmë shqetësimet e shprehura publikisht dhe mbetemi të përkushtuar që çdo federatë të votojë bazuar në fakte. Askush nuk po e shet futbollin. FIFA nuk do ta merrte kurrë në konsideratë një gjë të tillë”, thuhet në komunikatë.

Plani parashikon krijimin e kompanisë FIFA Forward Enterprise (FFE), një strukturë e re që do të menaxhojë aspektet tregtare të kompeticioneve kryesore të FIFA-s, përfshirë edhe Kupën e Botës. Sipas projektit, investitorëve privatë do t’u ofrohen vetëm aksione në pakicë, ndërsa kontrolli i plotë do të mbetet në duart e FIFA-s.

Sipas federatës ndërkombëtare, kjo nismë synon të rrisë të ardhurat dhe përfitimet për federatat kombëtare, pa cenuar qeverisjen dhe vlerat e futbollit. Megjithatë, UEFA vazhdon ta kundërshtojë ashpër projektin, duke akuzuar FIFA-n se po e përdor futbollin për të pasuruar veten dhe rrethin e saj të afërt.

Ndërkohë, mediat ndërkombëtare raportojnë se Infantino u ka premtuar federatave që do të mbështesin reformën një fond të jashtëzakonshëm prej 40 milionë dollarësh, me afat deri më 19 shtator për t’iu bashkuar projektit dhe për të përfituar këstin e parë prej 20 milionë dollarësh.

Nëse reforma miratohet, grupi i investitorëve pritet të udhëhiqet nga Thrive Eternal, kompani e lidhur me fondin amerikan të kapitalit sipërmarrës Thrive Capital, i themeluar nga Joshua Kushner, vëllai i Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Kjo lidhje ka shtuar më tej polemikat dhe dyshimet rreth transparencës së gjithë operacionit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?