FIFA zgjat edhe për një vit rregullin e 5 zëvendësimeve
Këtë verë IFAB miratoi aplikimin e 5 zëvendësimeve për ndeshje, në tre momente të ndryshme kohore, si një masë për të mbrojtur futbollistët gjatë një periudhe të ngjeshur me aktivitete. Menjëherë më pas thuajse të gjitha ligat në botë përqafuan rregullin e ri, ndërsa trajnerët tashmë duke kryer deri në 5 zëvendësime kanë mundësi të menaxhojnë më mirë lodhjen te futbollistët e tyre.
Rregulli i 5 zëvendësimeve u miratua për të gjithë aktivitetet e sezonit futbollistik 2019-2020, por duke qenë se kalendari do të vijojë të jetë i ngjeshur edhe për sezonin e ardhshëm, IFAB është mbledhur sot në Zyrih dhe ka vendosur ta lërë në fuqi edhe për një vit.
Kështu në komunikatën e shpërndarë sot për mediat, IFAB njoftoi se rregulli për kryerjen e 5 zëvendësimeve për ndeshje do të mbetet në fuqi deri më 31 korrik 2021, në të gjithë garat futbollistike.
Megjithatë tani mbetet në dorën e federatave të çdo vendi për të pranuar nëse do të aplikojnë këtë rregull, apo do të rikthehen menjëherë te 3 zëvendësimet për ndeshje, ashtu siç funksionon prej vitesh.