
FIFA ka bërë publike listën e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat do të zhvillohen më 18 mars 2027 në Rabat të Marokut, në kuadër të Kongresit të 77-të të organizmit më të lartë të futbollit botëror.
Sipas njoftimit zyrtar të FIFA-s, në garën për drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të futbollit ndërkombëtar janë paraqitur tre kandidatura: Philippe Diallo, Gianni Infantino dhe Kohzo Tashima.
Emrat janë renditur sipas rendit alfabetik dhe dokumentacioni përkatës i është dorëzuar tashmë Komitetit Zgjedhor të FIFA-s, i cili do të shqyrtojë dosjet dhe do të vendosë për pranimin përfundimtar të kandidatëve në garën presidenciale.
Në bazë të statutit dhe rregullores zgjedhore të FIFA-s, lista përfundimtare e kandidatëve që do të plotësojnë kriteret për pjesëmarrje në zgjedhje do t’u komunikohet federatave anëtare jo më vonë se më 18 shkurt 2027.
Procesi zgjedhor do të zhvillohet në përputhje me Statutin e FIFA-s dhe kapitullin IV të Rregullores së Qeverisjes, si dhe me qarkoren zyrtare numër 1962, e cila përcakton procedurat për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Kështu, nëse të tre kandidaturat marrin miratimin përfundimtar, gara për kreun e FIFA-s do të jetë një përballje mes Gianni Infantinos, Philippe Diallo dhe Kohzo Tashima.