Finalja e dytë në tre vitet e fundit, Inzaghi tregon “sekretin” e suksesit të Interit
Interi siguroi mbrëmë biletën për në finalen e Champions League, që do të zhvillohet në Mynih, më 31 maj. Për Simone Inzaghin kjo është finalja e dytë në tre vitet e fundit, një arritje që e bën trajnerin italian të ndihet krenar për grupin që drejton: “Komplimente duhen bërë edhe Barcelonës, sepse është një skuadër vërtet e fortë. Por duhen përgëzuar djemtë e mi, që në të dyja ndeshjet dhanë gjithçka. Jam krenar që jam trajneri i tyre, sepse të gjithë, edhe ata që hynë nga stoli, mbajtën nivelin shumë lart.”
Në fushë, skuadra u paraqit me vendosmëri dhe qartësi taktike: “E luajtëm me cilësitë tona, sepse i kemi. E njihnim mirë Barcelonën dhe e dinim çfarë të bënim, por pa sakrificën e të gjithëve nuk do t’ia dilnim. Nuk u treguam kurrë arrogantë, por të përulur dhe të fokusuar.”
Në fund, Inzaghi ndalet te disa nga yjet katalanas, duke vlerësuar talentin e tyre: “Është folur shumë për Yamal, me të drejtë sepse është i jashtëzakonshëm, por më ka impresionuar shumë edhe De Jong. Është gjithmonë në pozicion të saktë, sidomos në topat e dyta. Të dy janë në nivel shumë të lartë.”
Interi tashmë pret të njohë kundërshtarin e finales nga sfida PSG-Arsenal, por një gjë është e qartë: Skuadra e Inzaghit është gati për ëndrrën evropiane.
KOHA JONË SONDAZH

