Fiorentina i shkakton humbjen e parë Milanit, në Firence shënohen 7 gola (VIDEO)

Gola, spektakël dhe shumë emocione në duelin mes Fiorentinës dhe Milanit. Skuadra vjollcë i ka shkaktuar disfatën e parë në kampionat kuqezinjve, duke i mundur në shifrat 4-3.

Duncan zhbllokoi rezultatin që në minutën e 15-të, duke përfituar nga një gabim trashanik i portierit Tatarusanu. Në fundin e pjesës së parë ndërkohë Fiorentina gjeti dhe golin e dytë falë një super goli të Saponarës.

Në fillimin e pjesës së dytë, Vlahovic do të dilte në skenë me një gol fantastik, pasi dribloi dhe portierin Tatarusanu. Milani reagoi menjëherë me Zlatan Ibrahimovic që do të shënonte dy gola për 5 minuta, duke rihapur ndeshjen.

5 minuta nga fundi ndërkohë Vlahovic do të mendonte për t’i vënë vulën sfidës me një goditje shumtë të saktë në hyrje të zonës. Ky ishte goli i 10-t sezonal për sulmuesin serb që ndiqet nga gjysma e Europës. Në shtesë kishte kohë dhe për një autogol të Venutit. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP