Fituesi i Turit të Francës, Chris Froome dështon në testin e dopingut
Chris Froome, fitues 4 herë i Turit të Francës, duke përfshirë 3 vitet e fundit, rezultoi pozitiv në nivele të larta i një droge që përdoret për kurimin e astmës.
Analiza e një testi të urinës, të marrë gjatë Turit të Spanjës në shtator, tregoi se britaniku Froome kishte dyfishin e nivelit të lejuar të drogës, Salbutamol. Froome fitoi garën.
“Të gjithë e dinë që unë kam astmë dhe unë i di mirë rregullat”,- deklaroi Froome.
Ai shtoi se kishte ndjekur këshillat e mjekut për dozën që duhet të përdorte. “Unë përdor një aparat për të menaxhuar simptomat e mia (gjithmonë brenda kufijve të lejuar) dhe e di me siguri që do të testohem çdo ditë për aq kohë sa jam udhëheqës i garës. Astma ime u përkeqësua gjatë Turit te Spanjës, si rrjedhim ndoqa këshillën e doktorit të ekipit për te ngritur dozën time të Salbutamolit. Si gjithmonë, jam treguar i kujdesshëm për të mos përdorur më shumë nga se lejohet. E marrë me shumë seriozitet pozicionin tim si lider në sportin tim. Bashkimi Ndërkombëtar i Çiklizmit ka absolutisht të drejtë që shqyrton rezultatet e testimeve dhe së bashku me ekipin unë do t’u jap çfarëdo informacioni që do të kërkojnë”,- tha Froomee.
Bashkimi Ndërkombëtar i Çiklizmit, organi qeverisës i sportit, deklaroi se një analizë e mostrës B kishte konfirmuar testin pozitiv. Por ky institucion tha se nuk do të merrte masa disiplinore ndaj Frrome derisa studimi i mëtejshëm i mostrave të përfundojë.
Froome kishte në plan pjesëmarrjen në Turin e Italisë në pranverë, në një përpjekje për të mbajtur titujt e tre Tureve kryesore njëkohësisht, të Spanjës, Italisë dhe Francës. Ai gjithashtu kishte në plan të kërkonte titullin e pestë të Turit të Francës në gusht.
Froome, 32 vjeç, i bashkohet listës së gjatë të kampionëve të çiklizmit që kanë patur probleme me dopingun. Më famëkeqi, Lance Armstrong iu hoqën shatë titujt e Turit të Francës mbi përdorimin e drogës. Alberto Contador humbi titullin e vitit 2010 dhe Floyd Landis titullin e vitit 2006. Shumë nga fituesit e tjerë, duke filluar nga fundi i viteve 1990, përfshirë Marco Pantanin, Jan Ullrich dhe Bjarne Riis, gjithashtu janë kapur në skandalet e dopingut.
Përktheu: Koha Jonë. Burimi: Nytimes.com