Flamurtarit nuk pritet t’i hiqen 6 pikë nga FSHF, edhe nëse nuk paguan detyrimet ndaj lojtarëve
Sporti E Martë, 4 Maj 2021 12:37
Federata Shqiptare e Futbollit nuk pritet që t’i heqë Flamurtarit 6 pikë nga renditja e Superligës, edhe nëse nuk paguan detyrimet e prapambetura.
Presidenti Duka po mendon për një plan alternativ.
Ultimatumi është i ashpër, por duket se nuk do të veprojë.
Federata Shqiptare e Futbollit nuk pritet t’i heqë Flamurtarit pikët nga renditja e Superligës, nëse nuk paguhen ato që quhen detyrime të prapambetura.
Afati i fundit skadon sot dhe sipas rregullores, vlonjatët rrezikojnë që t’u hiqen 6 pikë nga renditja.
Klubi vlonjat ka deklaruar fort se nuk ka ndërmend të paguajë ato që i quan borxhe të padrejta, ndërsa burime nga Federata pohojnë se pritet të gjendet një zgjidhje e mesme.
Drejtuesit e futbollit shqiptar nuk kanë dëshirë t’ia zbresin pikët Flamurtarit për shkak se I tremben dëmtimit të garës në kampionat, sidomos në një fazë kaq të hershme të sezonit.
Zgjidhja e menduar është shlyerja nga ana e saj e trajnerit Gjoka, dhe futbollistëve Veliu, Arbri e Sakaj.
Kjo pritet të bëhet nga fondet që i përkasin Flamurtarit nga pjesëmarrja e mëparshme në kupat e Europës dhe, që sipas rregullave të UEFA-s, kalohen fillimisht në fondet e Federatës.
Mësohet se vetë presidenti Duka i ka këshilluar, që të mos bëjnë deklarata për mediat dhe të mos nxitohen.
Gjithsesi, përplasja mes Federatës dhe Flamurtarit pritet të jetë e ashpër.
Presidenti Idrizi ka deklaruar se i detyrimet që i kërkohen i quan të paligjshme.
KOHA JONË SONDAZH

