Formacionet e mundshme dhe parashikimet/ Luhen sot dy çerekfinalet e Kupës së Botës

Kupa e Botës rikthehet ditën e sotme me ndeshjet e fazës çerekfinale, të cilat pritet të dhurojnë spektakël dhe emocione. Kroacia u kualifikua mes shumë vuajtjeve nga ruleta e penalltive në fazën e 1/8-ve ndaj Japonisë, dhe tashmë do të ketë provën e “zjarrit” kundër Brazilit.

Nga ana tjetër Selecao është në një formë të jashtëzakonshme dhe këtë e shfaqi në suksesin 4-1 ndaj Koresë së Jugut. Për ekipin e Tites sfida ndaj ekipit ballkanas do të jetë prova më e vështirë e këtij Botërori. Por le të ndalemi te formacionet e mundshme.

Dalic me shumë mundësi do të besojë vendosjes 4-1-2-3. Brozovic do vendoset para mbrojtjes, ndërkohë që Modric dhe Kovacic kompletojnë repartin, duke qenë ndër ekipet ndoshta më favorite. Perisic, Petkovic dhe Kramaric do të luajnë më të avancuar, me synimin për të vendosur në vështirësi portierin Alisson.

Në krahun tjetër, Brazili i beson të njëjtës 11-she s në ndeshjen e fundit. Casemiro është “pyka” para mbrojtjes, Neymar dhe Paqueta do të jenë më të lirë në mbështetje të Vinicius, Richalirsson dhe Raphinha.

Parashikim

Kroaci 1-3 Brazil

Në mbrëmje ne orën 20:00 është super ndeshja mes Holandës dhe Argjentinës. Luis Van Gaal ditën e djeshme është shprehur se skuadra e tij do të luftojë për të fituar Kupën e Botës, ndërkohë që në krahun tjetër Lionel Messi luan Botërorin e fundit dhe do të tentojë ta mbyllë me lavdi.

“Tulipanët” treguan një formë shumë të mirë në fazën e 1/8-ve me Depay-in në majën e sulmit. Klassen do vendoset pas krahëve të Gakpo dhe Depay. Dumfries dhe Blind do të luajnë në krahë për të mbështetur sulmin me krosime.

Argjentina ndërkohë do të vuajë sërish mungesën e Di Maria, ende të dëmtuar. Vendin e tij do ta zërë Gomez, i cili do të mbështesë dyshen Messi-Alvarez. Lautaro Martinez sërish pritet ta nisë nga stoli.

Parashikim

Holandë 2-2 Argjentinë (Argjentina fiton me penallti)

/R.Lika-Koha Jonë/

 

SHKARKO APP