FOTO/ Kundërshtarë në “Olimpico”, por Veliaj i bën bashkë italianët dhe turqit në Tiranë: Jemi një qytet kozmopolitan
“Tirana Fan Zone” në sheshin “Skënderbej” ka bërë bashkë mbrëmjen e sotme jo vetëm dashamirësit shqiptarë të futbollit, por njëkohësisht edhe turqit dhe italianët e shumtë që jetojnë në vendit tonë për të ndjekur përballjen Itali-Turqi.
Në një prej tavolinave ishte dhe kryebashkiaku Erion Veliaj bashkë me ambasadorin Italian në vendin tonë Fabrizio Bucci dhe zv. Ambasadoren turke në Shqipëri Orkide Deniz Akyamaç.
Duke folur për mediat, Veliaj theksoi se pas pandemisë, Tirana i është rikthyer jetës, ndërkohë që gjithnjë e më shumë po kthehet në një qytet kozmopolitan.
“Për mua është shumë e rëndësishme që qyteti është hapur, që Tirana po feston, që është kthyer normaliteti, që vëllezërit turq dhe vëllezërit italian i kemi të gjithë bashkë. Tirana është një shtëpi sot e mbi 144 kombësive. Dhe fakti që në Tiranë ka italianë, ka turq, ka afrikanë, ka nga Amerika Latine, ka nga Azia, do të thotë që qyteti po bëhet vend kozmopolitan dhe fakti që ka një vëllazëri është një lajm i mire”, theksoi Veliaj.
Nëpërmjet një ekrani gjigand të vendosur në qendër të sheshit “Skënderbej”, i cili ka marrë pamjen e tapetit të blertë, por edhe në shoqërinë e aktiviteteve të ndryshme, qytetarët do mund të shijojnë 30 ditët e Kampionatit Evropian në një atmosferë fantastike.