Franca fiton finalen e parakohshme ndaj Anglisë, Harry Kane humb penalltinë e dytë

Franca është skuadra e fundit gjysmëfinaliste e Kupës së Botës. Kampionët në fuqi morën një fitore spektakolare 2-1 në finalen e parakohshme ndaj Anglisë, një nga duelet më të bukura të luajtur në Katar.

Skuadra e Deschamps e nisi më mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh me anë të një super goli nga talenti Tchouameni në minutën e 17-të. Ylli i Realit shënoi me një goditje të fortë nga distanca. Pra Francë-Angli 1-0.

Anglia u kundërpërgjigj mjaft mirë duke qenë shpesh herë e rrezikshme në portën e Lloris. Në fillimin e pjesës së dytë, Tchouameni shkaktoi faull brenda zonës ndaj Saka. Nga pika e bardhë futbollisti anglez Harry Kane ekzekutoi në perfeksion një goditje perfekte.

“Gjelat” do të riktheheshin sërish në avantazh, edhe pse Tre Luanët po luanin mjaft mirë. Kampionët në fuqi të Botës realizuan golin e dytë në minutën e 77-të, me Giroud që do të realizonte në portën e anglezëve, i ndihmuar dhe nga një devijim i Maguire.

6 minuta më pas Anglia fitoi një tjetër penallti, por këtë herë Harry Kane gaboi në goditje pasi topi shkoi shumë jashtë kuadratit të portës. Pra humbi shansin që ta çonte Anglinë në barazim dhe në shtesë loje. Përfundimisht ndeshja mbaroi Francë-Angli me rezultatin 2-1.

Franca në gjysmëfinale do të përballet me Marokun, ndërkohë që në sfidën tjetër Kroacia do të përballet me Argjentinën. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP