FSHF dhe Posta Shqiptare promovojnë pullat postare “Shqipëria në Euro” dhe “Kampionati Europian i Futbollit”

Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit u zhvillua aktiviteti i organizuar në bashkëpunim me Postën Shqiptare për promovimin zyrtar të pullave postare “Shqipëria në Euro” dhe “Kampionati Europian i Futbollit”, një iniciativë që synon të vërë në pah vlerat e pullës postare shqiptare dhe simbolikën që ajo përfaqëson.

Në këtë aktivitet morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, Shefi i Kabinetit të Postës, Artemon Cukalla, Elion Semanaj nga Departamenti i Administrimit të Postës, Drejtoresha e Marketingut të Postës, Albiona Sulo, si dhe përfaqësues të filatelisë, të Komisionit të Pullës dhe përfaqësues të FSHF.

Ceremonia u shënua nga firmosja simbolike e një “Cartmaximum” (kartolinë), ku një fëmijë shkroi një mesazh dedikuar futbollistit të Kombëtares, Nedim Bajrami, si shenjë frymëzimi dhe krenarie për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën europiane.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë fjalës së tij në këtë event, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, vlerësoi bashkëpunimin me Postën Shqiptare:

Swiss Digital Mobile Reklama

“Jam i lumtur që në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, promovojmë një iniciativë që bashkon sportin me kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.

Pullat postare janë më shumë se mjete komunikimi; ato janë simbole përfaqësimi dhe ambasadorë të një kombi. Përmes pullave “Shqipëria në Euro” dhe “Kampionati Europian i Futbollit”, po vulosim simbolikisht një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë sportive. Pjesëmarrja në finalet e një Kampionati Europian ishte një arritje që bashkoi shqiptarët kudo që ndodhen dhe që sot bëhet pjesë e kujtesës sonë kulturore përmes filatelisë.

Bashkëpunimi me Postën Shqiptare dëshmon se institucionet tona mund të punojnë së bashku për të promovuar vlerat më të mira të vendit. Sporti dhe diplomacia kulturore ndërthuren natyrshëm, sepse përfaqësojnë identitetin dhe aspiratën tonë për t’u prezantuar me dinjitet në Europë.

Falënderoj Postën Shqiptare për këtë bashkëpunim dhe ju ftoj të vizitoni ekspozitën”, – tha Shulku.

Ndërsa përfaqësuesi i Postës Shqiptare, Elion Semanaj, u shpreh: “Posta Shqiptare është krenare të jetë pjesë e kësaj nisme që promovon një moment të rëndësishëm të sportit shqiptar. Përmes këtyre pullave postare, ne synojmë të përcjellim vlerat, historinë dhe krenarinë që përfaqëson futbolli për vendin tonë, duke forcuar lidhjen mes sportit dhe identitetit kombëtar”.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi është hapur edhe mini-ekspozita filatelike, e cila do të qëndrojë e hapur nga data 26 shkurt 2026 deri më 3 mars 2026. Ekspozita përfshin seksionin historik me pulla shqiptare me tematikë sportive ndër vite, seksionin e boceteve të reja dhe historike, panelin special “Kuq e Zi – Simboli që udhëton në Europë”, si dhe stenda të filatelistëve me koleksione sportive me dimension edukativ.

Ky aktivitet theksoi rolin e pullës postare si simbol i përfaqësimit kombëtar në Europë, ndërthurjen e sportit me diplomacinë kulturore dhe institucionale, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Postës Shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?