FSHF mbështet futbollin edhe në zonat rurale, aktivitet me fëmijët e Divjakës

Futboll për të gjithë. Futboll për fëmijët, femrat dhe zhvillimin. Ky është qëllimi dhe synimi ynë. FSHF ka vendosur si prioritet zhvillimin e futbollit të fëmijëve dhe të femrave në strategjinë e saj. Në këtë kuadër, Federata e Futbollit ka zhvilluar një aktivitet me fëmijët në Divjakë, me qëllimin për të masivizuar futbollin jo vetëm në qytete, por edhe në zonat rurale të Shqipërisë. Të pranishëm në event ishin përfaqësues të FSHF-së, ndërkohë që rreth 30 fëmijë, vajza dhe djem, të cilët frekuentojnë shkollën e Çermë Shkumbin, u angazhuan në ushtrime dhe ndeshje mes njëri-tjetrit. Shumë prindër kanë ndjekur nga afër aktivitetin e zhvilluar në ambientet sportive të shkollës dhe interesi për të shijuar lojën e bukur të futbollit ka qenë i madh.

Përmes këtyre aktiviteteve FSHF synon, jo vetëm të afrojë fëmijë, të cilët nesër mund të jenë të vlefshëm për futbollin profesionist, por edhe masivizimin duke e konsideruar futbollin edhe si një edukim për brezin e ri dhe për t’i hequr fëmijët nga rruga, për t’i bërë ato sa më të shëndetshëm. Pak ditë më parë Federata ka nisur edhe “Festivalin e Futbollit”, që ka nisur nga Korça për të vijuar më pas në të gjitha qytetet e Shqipërisë e që gjithashtu ka në qendër futbollin e fëmijëve dhe sensibilizimin e tyre për të luajtur sa më shumë futboll.

Në këtë drejtim Federata e Futbollit ka disa projekte, si projekti “Grow”, që ka nisur disa vite më parë dhe konsiston në kthimin e disa orëve të edukimit fizik në shkolla në orë futbolli për vajza dhe djem. Gjithashtu, Federata ka licencuar mësuesit e edukimit fizik me licencën, UEFA C, ndërsa projekti ka përfshirë rreth 20 mijë fëmijë në të gjithë Shqipërinë në qindra shkolla në të gjithë vendin.

Gjithashtu, FSHF ka sjellë në vendin tonë kompaninë e famshme “Disney” përmes programit “Playmakers”, që bëhet në bashkëpunim me UEFA-n e që do të përfshijë vajzat në botën e bukur të futbollit! Ky bashkëpunim emocionues me “Disney” është krijuar për të frymëzuar vajzat e moshës pesë deri në tetë vjeç, të cilat nuk kanë luajtur kurrë futboll, për të përjetuar lojën për herë të parë.

Projekti synon t’i familjarizojë vajzat me futbollin duke siguruar një mjedis posaçërisht për to me në fokus argëtimin, miqësinë dhe futbollin; të zbatojë një qasje të re, të personalizuar të trajnimit/stërvitjes, që përdor imagjinatën (frymëzuar nga historitë dhe personazhet e Disney) si mjet për stërvitjen dhe të mësuarit e aftësive në futboll. Federata Shqiptare e Futbollit do të vazhdojë të mbështesë futbollin kudo në Shqipëri, edhe në zonat rurale, duke sjellë kudo magjinë e lojës së madhe.

SHKARKO APP