FSHF organizon mbrëmjen me vullnetarët. Duka: Jemi bërë një trup i vetëm në organizimin e aktiviteteve futbollistike

Për të dytin vit radhazi, Federata e Futbollit organizoi eventin e veçantë për të gjithë djemtë dhe vajzat të cilët janë pjesë e rrjetit të vullnetarëve të FSHF-së, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit.

Një tjetër vit i suksesshëm për futbollin shqiptar nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin dhe punën e palodhur të tyre. Gjatë vitit 2025, për herë të parë në histori, nën organizimin e FSHF-së dhe UEFA-s, u zhvilluan finalet e Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”. Rreth 200 vullnetarë u angazhuan në organizimin e fazës finale nga 19 maji deri më 1 qershor, duke kontribuar në një organizim historik dhe tejet të suksesshëm.

Vullnetarët janë pjesë e pandashme e Federatës dhe janë prezentë në çdo aktivitet dhe event të organizuar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Rreth 100 vullnetarë ishin pjesë e këtij aktiviteti special të organizuar në stadiumin “Air Albania”, ndërsa në event morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, Drejtori Administrativ i FSHF, Aldi Topçiu dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Anila Basha.

Swiss Digital Mobile Reklama

Presidenti Armand Duka, i cili nuk mundi të ishte i pranishëm për shkak të pjesëmarrjes në ceremoninë e hedhjes së shortit të Botërorit 2026 në Uashington D.C., i përshëndeti vullnetarët përmes një video-mesazhi.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar i falënderoi të gjithë për bashkëpunimin e vazhdueshëm me FSHF-në dhe theksoi se Federata do të vazhdojë të punojë ngushtë me vullnetarët në organizimin e aktiviteteve sportive në vend.

“Të nderuar vullnetarë, bashkëpunëtorë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe e gjithë administrata që jemi mbledhur sot në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. Dua t’ju falënderoj për pjesëmarrjen sot, por në të njëjtën kohë dua t’ju falënderoj për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Federatën e Futbollit. Bashkëpunim i cili vërtet ka nisur në vitin 2022 në organizimin e finales së Conference League në Tiranë dhe ka vazhduar, është konsoliduar dhe ne tashmë jemi pothuajse një trup i vetëm në organizimin sa më të mirë të aktiviteteve sportive futbollistike në Shqipëri.

Unë ju ftoj që ta vazhdoni, jam i bindur që do ta vazhdoni. Vullnetarizimi është një kulturë mbase jo shumë e zhvilluar në vendin tonë. Ju jeni “dallandyshet” e para të vullnetarizimit në Shqipëri. Unë jam shumë i lumtur që edhe Federata e ka përkrahur dhe shtyrë këtë projekt dhe ju garantoj që ne do të kemi të njëjtën mbështetje, të njëjtin bashkëpunim dhe të krijojmë sa më shumë bashkëpunime të tilla në të ardhmen.

Njerëzit në përgjithësi janë mësuar që të punojnë me shpërblime. Në rastin konkret vetë Dita e Vullnetarizmit Ndërkombëtar dhe vetë ju, dhe për këtë duhet t’ju falënderojmë akoma më shumë.

Duke qenë se jemi edhe në ditët e fundit të vitit, unë ju uroj nga zemra: Gëzuar festat e fundvitit! Gëzuar Vitin e Ri dhe një vit sa më të mbarë 2026!”, tha presidenti Duka.

FSHF mbrëmje me vullnetarët. Presidenti Duka: Jemi një trup i vetëm në organizim

Aktivitetin e përshëndetën edhe anëtarja e KE-së, Anila Basha, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, të cilët vlerësuan rolin e rëndësishëm të vullnetarëve dhe i falënderuan për punën e tyre të madhe në sukseset e futbollit shqiptar.

“Jam shumë i nderuar që jam sot këtu për t’ju përshëndetur, në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. Kjo është ditë e shënuar, sepse ne kemi bërë risi në futbollin shqiptar. Tre vjet më parë, kur kemi bërë finalen e Conference League, dhe për këtë ju falënderojmë përzemërsisht për atë çfarë keni dhënë, sepse me thënë të drejtën dhe ky është realiteti, që na keni inspiruar dhe përkushtimi juaj është vërtet shumë i admirueshëm”, tha Ilir Shulku.

“Falë energjisë dhe sinergjisë tuaj kemi arritur të realizojmë, ashtu siç e evidentoi edhe Presidenti, evenimente të jashtëzakonshme, ku kontributi juaj, edhe pse nuk dukeni dhe me thënë të drejtën unë as që ju dalloj që jeni, por ju jeni aty pas çdo elementi që zbret në fushën e futbollit. Pa ju do të ishte e pamundur organizimi i një ceremonie që, duhet thënë, në Shqipëri e kemi pasur me notat tona maksimale të merituara, jo vetëm nga komuniteti ynë i brendshëm, por edhe nga falënderimet që na kanë ardhur nga organizatorët dhe partnerët tanë të UEFA-s. Duhet t’ju them që dega e vullnetarizmit është njëra ndër më të vlerësuarat edhe në qeverinë europiane të futbollit. Me përulje personalisht, por edhe në emër të Federatës së Futbollit, ju them faleminderit, ju jeni aty, do të jeni aty, dhe ne do të jemi bashkë në një rrugë të gjatë”, – tha Anila Basha.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?