FSHF sqaron arsyet pse i hoqi “Over Sport-it” të drejtën e transmetimit të Superiores
Pas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit për zgjidhjen e kontratës së të drejtave të transmetimit televiziv të kampionateve “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë, si edhe të Kupës së Shqipërisë e Superkupës së Shqipërisë me shoqërinë “Over Sport”, më datën 27.06.2023, nga kjo shoqëri pati një reagim publik, ku shprehej se ky ishte një zhvillim i papritur dhe se veprimet e FSHF ishin rezultat i mungesës së transparencës dhe në kontrast me parimet etike, që sipas “Over Sport”, duhet të ndjekë.
FSHF priti në rast se nga “Over Sport” do kishte një qëndrim publik më të qartë, por në mungesë të tij gjen me vend të sqarojë opinionin publik në lidhje me mënyrën se si u arrit deri në zgjidhjen e kësaj kontrate.
Prej muajit janar 2023 shoqëria “Over Sport” nuk ka paguar shumat e parashikuara në kontratë sipas afateve përkatëse. Kjo shoqëri nuk ka dhënë kurrë të gjitha garancitë për të cilat ishte angazhuar në kontratë. Prodhimi dhe transmetimi televiziv i garave kombëtare ka qenë jashtë çdo standardi teknik e sidomos ka ndikuar drejtpërdrejtë në funksionimin e sistemit VAR.
Po ashtu qëndrimi editorial dhe kontributet gazetareske kanë qenë jashtë kërkesave të kontratës e në shume raste edhe në cenim të moralit publik apo te sensibiliteteve të grupeve të ndryshme shoqërore.
Për të gjitha këto raste “Over Sport” është njoftuar dhe paralajmëruar shumë herë e së fundmi në muajin maj 2023, kur i është dhënë afat për të përmbushur detyrimet deri më datën 31.05.2023, me pasojë zgjidhjen e kontratës.
E madje edhe më datën 02.06.2023 është mbajtur një takim ku shoqëria është paralajmëruar për zgjidhjen e kontratës e ku sërish ka marrë përsipër të shlyejë detyrimet, këtë herë brenda datës 21.06.2023. Përtej kësaj date FSHF nuk mund të vinte në rrezik transmetimin televiziv të ndeshjeve për sezonin 2023-2024 dhe për këtë shkak u vendos zgjidhja e kontratës.
Në këto kushte, ajo që në fakt “Over Sport” e cilëson si “të papritur” mendojmë se është vetëm një justifikim ndaj konsumatorëve ndaj të cilëve kjo shoqëri ka marrë përsipër angazhime që nuk mund t’i mbajë, ashtu siç ka bërë me FSHF-në. (FSHF.org)