“Fushë me 5 yje për finalen e UECL”, tapeti “Air Albania” në cilësinë maksimale

Përgatitjet për finalen e UEFA Europa Conference League, eventit më të madh sportiv që do të zhvillohet më 25 maj në Tiranë kanë nisur prej kohësh, teksa tashmë çdo gjë po konkretizohet. E gjithë Federata Shqiptare e Futbollit është vënë në dispozicion të UEFA-s për të organizuar një ndeshje finale sa më të përkryer dhe dinjitoze.

Fusha e stadiumit “Air Albania” është prekur nga ndryshimet që do të pasojnë më tej edhe tribunat e stadiumit, përkatësisht ajo e medias dhe tribunat e miqve.

“Një fushë me 5 yje” ka kërkuar institucioni i futbollit europian për këtë finale, teksa kur jemi vetëm 3 javë larg finales, fushës së stadiumit “Air Albania” i mungon një gjysmë ylli për të qenë i plotë. Drejtori i Shërbimeve dhe Administrimit të Qendrave Sportive në FSHF, Kejdi Tomorri në një prononcim për fshf.org shprehet se në ditën e finales, fusha e stadiumit do të ketë një tapet në gjendje optimale me 5 yje, ashtu sikurse fushat e tjera të stadiumeve ku zhvillohen finale të rëndësishme.

“Në fushë po bëhen punime intensive dhe fusha ka qenë një nga pikat e dobëta që në ndërtimin e stadiumit. Për këtë arsye, më pas u pa mundësia për të vendosur një tapet hibrid, siç e ka pjesa më e madhe e stadiumeve në botë. Një tapet i parametrave të fundit, ku gjithashtu me ndihmën e llampave dhe ventilatorëve, tapeti do të shkojë në gjendje optimale.

Në momentin kur u mor në dorëzim nga UEFA, para 2 muajsh, fusha ishte në kategorinë 1 yll e gjysmë (sipas kategorizimit të tyre ku normalisht është nga 1-5 yje) ndërsa në momentin që po flasim fusha është 4 yje e gjysmë, duke shkuar në 5 yje. Pra, për finalen, do të kemi 100% një fushë me 5 yje, siç janë edhe fushat e tjera ku luhen finalet e UEFA-s, Champions League dhe Europa League” – thotë Tomorri, ndërsa jep detaje edhe për gjendjen aktuale të fushës “Air Albania”.

Një tjetër detaj që vlen për t’u theksuar është se në momentin kur fusha u mor në dorëzim nga UEFA, kishim një mungesë shumë të theksuar të barit natyral, ku mbizotëronte bari artificial, ndërsa sot ne po bëjmë punime për të rralluar barin e fushës, sepse dendësia ka shkuar më tepër sesa duhet dhe po kthehet në parametrat që duhet të jetë ditën e ndeshjes. Fusha do të jetë perfekte më 25 maj dhe e denjë për një finale të madhe si kjo e Conference League”, përfundon Kejdi Tomorri për fshf.org.

YouTube player

 

SHKARKO APP