“Gazzetta dello Sport”: Etrit Berisha, portieri më i mirë i Seria A
Etrit Berishën e lanë nervat gjatë ndeshjes së fundit kualifikuese të Shqipërisë, ndaj Izraelit, në “Elbasan Arena”. Ai doli nga vetvetja dhe, në gjaknxehtësi e sipër, i kaloi “vijat e bardha”, duke u ndëshkuar me karton të kuq. Kësisoji, i la kuqezinjtë me 9 lojtarë në fushë, pasi më parë këtë fat të keq e kishte pasur edhe Berat Gjimshiti, si dhe në disavantazhin 1-0 (që në fund shkoi në 3-0). Një natë për t’u harruar në karrierën e shtatlartit nga Prishtina, i cili duket se me kalimin tek Atalanta ka gjetur “tokën e premtuar”.
Ai po shkëlqen me paraqitjet e tij, duke u bërë pikë referimi në suksesin mbresëlënës, të deritanishëm, të skuadrës ku është huazuar, në Seria A. Duke mos gjetur hapësira aktivizimi tek Lazio, Berisha pranoi të huazohej tek Atalanta, skuadër me të cilën është titullar i padiskutueshëm dhe po i dëshmon vlerat javë pas jave. Së fundi ka qenë gazeta prestigjioze sportive italiane, “Gazzetta dello Sport”, ajo që e ka vlerësuar “gardianin” tonë kuqezi, duke e përgjedhur si portierin më të mirë të javës që shkoi në Seria A.
Etrit Berisha është portieri i “top 11” së gazetës në fjalë, duke lënë pas emra të mirënjohur në këtë rol, në Itali. 27-vjeçari ka luajtur 10 ndeshje titullar me Atalantën, ose në total 900 minuta lojë në kampionat (Seria A). Ndërkohë, me kombëtaren kuqezi ka rrumbullakosur 40 ndeshje në edicione të ndryshme kualifikuese për Kampionat Botëror, Kampionat Europian, finale të “Euro 2016” dhe ndeshje miqësore. Kalmar në Suedi, Lazio dhe Atalanta në Itali, janë tri “stacionet” e tij si profesionist.
KOHA JONË SONDAZH

