“Gazzetta dello Sport” speciale për Taren, zbulon “thesaret” e gjeniut shqiptar

Igli Tare nuk e kishte aspak në mendje që do të bëhej drejtor sportiv. Ishte fundi i qershorit të vitit 2009, kur ai shkoi në zyrën e Claudio Lotitos në Formello. Ishte 35 vjeç, tri sezone në majën e sulmit të Lazios dhe po mendonte tërheqjen. Lotito ishte në kërkim të një zëvendësuesi për Walter Sabatinin. Emri i duhur për të ishte gjiganti shqiptar, i cili e njihte mjaft mirë futbollin ndërkombëtar. Në këtë mënyrë Lotito shpiku Taren si njeriun-merkato.

Ai dinte mjaft mirë si të lëvizte, pasi flet 6 gjuhë. Luajti 5 sezone në Gjermani, ku u njoh edhe me bashkëshorten Sandra. Tare ka një metodë pune shumë preçise, me një numër të madh kontaktesh me ish-shokë skuadre. Tare preferoi që të punonte në pavarësi, duke ndërtuar raporte të mira me agjentë të njohur në arenën ndërkombëtare si Mino Raila dhe Jorge Mendes. Krijoi lidhje direkte me Matja Kezman, ish-sulmuesin, i cili ishte agjenti i Milinkovic-Savic. Drejtuesi shqiptar i kushtoi një vëmendje të veçantë merkatos në Spanjë, por edhe në Amerikën e Jugut. Shumë orë para videove, ndërkohë që nuk ngurronte të shkonte personalisht për t’i ndjekur si luajnë. Në vitin 2011 mori Miroslav Klosen te Lazio, ndërkohë që në të njëjtin vit shkoi në Zvicër për të rrëmbyer Senad Lulic për vetëm 3 milionë euro.

Mesfushori boshnjak rezultoi një goditje mjaft e mirë në merkato pasi shënoi në finalen e Kupës së Italisë në vitin 2013. Një vit më parë, Igli mori Hernanes për 9.5 milionë euro nga San Paolo dhe më pas e shiti për 20 tek Interi. Në vitin 2013 arriti të transferonte vetëm për 10 milionë euro nga Santos Felipe Anderson, ndërkohë që e shiti më vonë për 30 milionë euro te West Ham. Arriti të zbulonte De Vrij, i cili u bë një nga mbrojtësit më të mirë të Botërorit 2014. Mori Keita Balde nga Barcelona për 360 mijë euro dhe e shiti te Monaco për 30 milionë euro. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

 

SHKARKO APP