Gega: Na shërbeu periudha e pushimit, jemi gati për sfidën me Tiranën

Trajneri i Kukësit, Skënder Gega në konferencën e parë për shtyp për këtë sezon, foli për duelin ndaj Tiranës. Strategu i njohur deklaroi se kjo periudhë 2-mujore pa ndeshje zyrtare i ka bërë mirë Kukësit që ka bërë shumë ndryshime në merkaton e kësaj vere, ndërkohë që vlerësoi grupin e futbollistëve që ka në dispozicion.

“Tirana është ekipi kampion dhe një ekip historie, ata kanë vlerat e tyre. Për ne është e rëndësishme të njohim njëri-tjetrin dhe veten tonë, kështu që shkojmë me ndjesi të mirë dhe objektiva të qarta. Ndryshime të mëdha janë bërë pas Kupave të Evropës, na ka shërbyer kjo periudhë pushimi. Ka disa lojtarë që nuk kanë luajtur dhe periudha e pushimit na ka shërbyer. Nga ana psikologjike dhe fizike jemi gati për sfidën e nesërme.

Grupi që ishte një grup me kualitet dhe i vlerësuar. Do kisha dëshirë të ishin këtu të gjithë, por janë zgjidhjet e tyre. Grupi që ka ardhur na bën optimistë, është grup i mirë me kualitet. Kanë eksperiencë dhe jemi munduar të bëjmë një miks midis atyre me një të kaluar shumë të mirë dhe lojtarëve me moshë të re. Është grup i mirë, edhe nga ana njerëzore. Do na ndihmojnë të punojmë të qetë. Unë nuk kam ndryshuar, kam ndryshuar vetëm uniformën. Dua të marr më të mirën nga çdo futbollist.

Partizani? Është diçka e kaluar, kam qenë me fat dhe ishte privilegj që isha pjesë e të kuqve. Partizani është identiteti im, aty jam rritur dha kam zhvilluar karrierën time. Do të bëj po aq shumë edhe për Kukësin. Jam profesionist, nuk mund të bëhem kuksian menjëherë, por për aq kohë sa jam këtu do të bëj maksimumin. Dua të justifikoj besimin dhe mbështetjen që më kanë dhënë. Ky është profesionalizmi, por le t’ia lëmë kohës. Gjithë ambienti shqiptar është i ngarkuar me presion. E kemi në gen, jemi emocionalë. Ka lloj lloj presionesh, por është presion i zanatit tonë. Duhet të jesh i gatshëm ta përballosh dhe të krijosh balancat. Objektivat janë të qarta, unë jam i qartë për veten time dhe me ekipin. Kur është qëllimi i mirë dhe ka bashkëpunim, presioni është i kuptueshëm.

Stadiumi? Kukësi nuk ka dalë me humbje, personalisht nuk e shoh risk, është normale, do të jemi të barabartë në çdo stadium ku të luajmë. Në ndeshjet e shtëpisë duhet të marrim tre pikët, në ndeshjet jashtë duhet të japim e marrim maksimumin. Mendoj se të dy grupet kanë vlera dhe specifikat e ndryshme. Këta që kanë ardhur janë në të njëjtin nivel me ekipin që ishte vjet, edhe pse nuk janë shfaqur akoma. Kemi besimin e plotë që kemi marrë njerëzit e duhur. Shpresoj që ky grup të mbajë po ato nivele, por edhe objektivat, që vjet nuk u arritën për arsye të ndryshme. Shpresoj që të bëjmë hapin e duhur”, deklaroi Gega.

SHKARKO APP