Gega: Respekt për Tiranën, por futemi në fushë për objektivat tona

Tirana dhe Partizani do të luajnë derbin e fundit për këtë sezon, në një sfidë ku kërkohet me çdo kusht fitorja. Në prag të kësaj përballje, trajneri i Partizanit, Skënder Gega deklaroi se derbi mbetet i njëjtë, pavarësisht pozitave ku ndodhen dy ekipet. Ai tha se ka respekt për historinë e Tiranës, ndërsa shtoi se kërkon pikët për objektivat e ekipit.
“Edhe ne kemi problemet tona. Kemi harxhuar energji pas ngjeshjes së ndeshjeve. Megjithatë kjo na ka bërë edhe mirë, për tu përshtatur. Derbi mbetet derbi në çdo situatë, pavarësisht renditjes. Ne jemi rivalë të përjetshëm dhe më takon të flas me respekt për historinë e Tiranës. Kjo ndeshje ka vlera. Pikët janë të domosdoshme për ne. Për 90 minuta jemi rivalë, secili do suksesin. Ne do futemi me besim për objektivat tona.
Në çdo vend që shkon trajneri, mundohet të bëjë më të mirën, ky është profesioni. Për fat të mirë, kam pasur mikpritje që të ndihem komod. Me futbollistët po njihemi më mirë dhe po kuptohemi më mirë. Jam shumë i kënaqur. Do doja të isha për shumë kohë, por i tillë është futbolli dhe planet e klubit.
Ecurinë e kundërshtarëve nuk e caktojmë ne. Në çdo pozicion që janë Tirana dhe Partizani, kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme. Është për qytetin dhe tifozët. Kanë shansin e tyre. Çdo gjë është pozitive. Është një ndeshje që të jep adrenalinë. Lojtarët duhet të kuptojnë se cilin ekip përfaqësojnë”, deklaroi Gega.
Derbi Tirana-Partizani do të luhet ditën e hënë, duke nisur nga ora 20:00.