Genoa heq dorë nga transferimi i Kristjan Asllanit?
Në ditët e fundit emri i Kristjan Asllanit është përmendur si një nga opsionet e mundshme për Genoan. Mesfushori shqiptar, në pronësi të Interit, pritet të ndërpresë huazimin e tij te Torino për t’u sistemuar më pas sërish në një klub tjetër. Në Itali, pikërisht Genoa ishte skuadra që kishte shfaqur interesin më konkret për shërbimet e tij, edhe pse për lojtarin nuk mungojnë kërkesat as nga Spanja.
Megjithatë, klubi kuqeblu duket se po orienton lëvizjet e tij drejt objektivave të tjerë për forcimin e mesfushës. Sipas asaj që raporton La Gazzetta dello Sport, Genoa është shumë pranë arritjes së marrëveshjes për Tommaso Baldanzin, i cili është në dalje nga Roma.
Gjatë periudhës së tij te verdhekuqtë, trajneri Daniele De Rossi e kishte aktivizuar Baldanzin edhe në rolin e mesfushorit të brendshëm, çka e bën atë një profil të përshtatshëm për skemat e Genoas.
Për rolin e regjisorit, drejtuesit e klubit kanë hedhur sytë nga venezueliani Cristian Casseres, aktualisht pjesë e Toulouse. Mesfushori mund të largohet nga Ligue 1 në formë huazimi dhe, sipas burimeve, në orët e fundit ka pasur një përshpejtim të ndjeshëm të negociatave.
Nëse Genoa do të arrijë të mbyllë me sukses këto dy operacione, pista që çon te Kristjan Asllani mund të ftohet ndjeshëm, duke e detyruar mesfushorin shqiptar të shikojë alternativa të tjera për të ardhmen e tij/
KOHA JONË SONDAZH

