Geraldo Bajrami, qendërmbrojtësi që është në gjurmët e Lorik Canës
Geraldo Bajrami ka lindur në Angli, por ai e flet rrjedhshëm gjuhën shqipe. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare U-21 është një nga lojtarët e perspektivës dhe shpreson që një ditë të bëjë hapin e madh drejt Kombëtares A. Në intervistën për rubrikën “Talenti Shqiptar” ka treguar se si i hodhi hapat e parë në futboll, kalimin te skuadra e Birmingham-it, sakrificat që i është dashur të bëjë dhe synimet e tij për të ardhmen.
“Si shumë fëmijë të tjerë gjithçka nisi me idenë për t’u argëtuar dhe për të kaluar kohën. Prindërit menduan se do të ishte një ide e mirë nëse unë do të merresha me sport dhe kështu në moshën 6-vjeçare më regjistruan në një ekip futbolli të zonës ku jetojmë në Birmingham. Aty hodha hapat e parë, por m’u deshën disa vite që unë të spikasja dhe të kuptoja se futbolli nuk do të ishte thjesht një argëtim për mua, por një mundësi e vërtetë për të vazhduar karrierën si profesionist.
Në fakt që të dy prindërit e mi më kanë mbështetur shumë që herët. Siç e thashë në fillim nuk shkëlqeva, por me kalimin e viteve, im atë do ta kuptonte që unë kisha talent dhe më ndihmoi që të fokusohesha më shumë te futbolli për të ndjekur ëndrrën. Si babi ashtu edhe mami më shoqëronin çdo ditë në stërvitje rregullisht dhe më mbështesnin që unë të vazhdoja karrierën dhe të isha i përqendruar plotësisht te futbolli. Në fakt, kur mbusha 12 vjeç të gjithë e kuptuan se unë bëja diferencën në skuadër dhe mund të bëhesha futbollist profesionist.
Aktualisht synimi im më i afërt është të arrij të luaj si titullar te klubi im, Birmingham City, që militon në Championship. Më duhet të punoj shumë, por kam besim te aftësitë e mia dhe e di që mund t’ia dal mbanë. Gjithashtu, dua të jem gati kur të vijë mundësia për të qenë pjesë e Kombëtares shqiptare. Aktualisht jam pjesë e Kombëtares U-21 dhe jam i kënaqur me arritjet e deritanishme në planin personal. Nuk nxitohem dhe do pres radhën time. E rëndësishme është të jem në formë dhe përqendrohem te puna, pastaj jam i bindur se do të vijë edhe momenti im.
Idhulli në kombëtare? Duke qenë se unë jam një qendërmbrojtës, sigurisht që edhe idhulli im ka luajtur pikërisht në këtë pozicion në të kaluarën. Për mua Lorik Cana është një figurë e padiskutueshme dhe një model që duhet ndjekur për mua. Ka qenë një kapiten dhe lider i shkëlqyeshëm, një futbollist që jepte gjithçka në fushën e lojës”, u shpreh Bajrami.