Giro d’Italia rikthehet në Itali, ja si po transportohen mjetet nga Shqipëria

Pas tri etapave të mbushura me entuziazëm në Shqipëri, Giro d’Italia 108 përmbylli aventurën shqiptare me etapën e fundit në Vlorë, duke marrë me vete mbresat e një pritjeje të ngrohtë nga publiku shqiptar. Tashmë, karvani i madh i Giro-s është zhvendosur drejt Puglias në Itali, ku do të rifillojë gara pas pushimit të parë zyrtar.
Sot, më 12 maj, nga aeroporti i Tiranës janë nisur dy fluturime çarter për të transportuar 23 skuadrat pjesëmarrëse: i pari në orën 12 (me 13 skuadra) dhe i dyti në orën 13 (me 10 skuadra), me destinacion Brindisi, prej nga ekipet do të shpërndahen drejt hoteleve përkatëse.
Ndërkohë, mjetet logjistike dhe automjetet shoqëruese janë nisur më herët: një anije nga Durrësi për në Bari, dhe dy të tjera nga Vlora drejt Brindisit – një prej të cilave do të bëjë edhe një udhëtim shtesë sot. Në total, janë realizuar 4 udhëtime detare, që kanë transportuar 955 persona, 225 automjete, 190 furgonë dhe kamionë (mbi 12 m), 25 autobusë dhe 4 ambulanca.
Ndërsa Giro-ja po shijon ditën e parë të pushimit, që shërben për të lehtësuar kalimin nga Shqipëria në Itali, qendra organizative e etapës (Quartiertappa) është vendosur në Lecce, në ambientet e ish-koncesionit të Agostinianëve.
Të martën, më 13 maj, do të rifillohet gara me etapën e katërt dhe të parën në tokën italiane: Alberobello (Pietramadre) – Lecce, një etapë prej 189 kilometrash pa vështirësi të theksuara, ideale për sprinterët. Në garë për fitoren priten emra të mëdhenj si: Mads Pedersen (aktualisht me fanellën rozë dhe në kërkim të fitores së tretë), Wout van Aert, Olav Kooij, Kaden Groves, Moschetti, Lonardi dhe Sam Bennett. /Koha Jonë/