Gjimshiti: Jemi në rrugën e duhur, mbrojtja me 3 s’është problem!
Në emra Shqipëria ka një mbrojtje fantastike, por dëmtimet dhe situata të ndryshme kanë bërë që lojtarët më të mirë të këtij reparti pak herë të luajnë bashkë. Gabimet kanë qenë të shumta, teksa një i tillë solli edhe humbjen kundër Lituanisë. Në konferencën e radhës për shtyp, mbrojtësi që po shkëlqen te Atalanta, Gjimshiti ka folur për situatën, duke u shprehur i bindur se skema me 3 do të funksionojë më së miri.
Gjimshiti, çfarë po ndodh me mbrojtjen?
Besoj që në dy ndeshjet e fundit, mbrojtja nuk ka pasur shumë probleme. Mendoj që repartin e kemi përmirësuar shumë dhe në ndeshjet e fundit me Bjellorusinë dhe Lituaninë, nuk kemi pësuar shumë raste. Ajo kundër Lituanisë ishte gabim individual dhe besoj që jemi në rrugën e duhur dhe kemi mbrojtës me cilësi.
Për sa i përket mbrojtjes me 3, besoj ju tek Atalanta e keni perfeksionuar sepse luani me 3. Po në përfaqësuesen shqiptare, trajneri po insiston me një mbrojtje me 3, ku jo të gjithë mund të jenë përshtatur ashtu siç duhet. Mendon që duhet insistuar me këtë apo mund të ndryshohet diçka?
Unë besoj që të gjithë lojtarët që ne kemi në mbrojtje mund të luajnë me këtë sistem. Është e vërtet për mua që kam vite që luaj me mbrojtjen me 3, por ka edhe lojtarë të tjerë që kanë luajtur me skemën me tre mbrojtës dhe nuk besoj se është problem.
Si u ndjeve kur more shiritin e kapitenit në krah në ndeshjen e fundit pas largimit të Hysaj?
Ishte krenari, ndoshta nuk ishte ndeshja që kisha menduar, por është diçka e bukur.
Si duken të rinjtë e afruar së fundmi në përfaqësuese?
Është një gjë që ka ndodhur edhe në vitet e tjera. Ka shumë talente në të gjithë shqiptarinë, që kanë shumë cilësi lojtarët, dhe këtë e kemi parë dhe në stërvitje por kanë akoma edhe shumë rrugë për të bërë. Është ndoshta edhe puna jonë, si e Abrashit edhe e imja, si me më shumë eksperiencë për t’i ndihmuar ata.
E ndjeni pak presionin për këto dy ndeshjet e radhës kundër Kazakistanit dhe Lituanisë për të marrë pikë të plota?
Më mirë të kesh presion se mos të kesh, por normal që duhet harruar ajo ndeshje dhe të bëjmë më mirë në ndeshjen e ardhshme, sidomos në ndeshjen e parë ndaj Kazakistanit pastaj me Lituaninë.
Edhe ndryshimet e ndodhura së fundmi në përfaqësuese, kushtëzuar pak edhe nga pandemia, beson që ndoshta deri diku e dëmtojnë pak grupin sepse nuk mund të ruhet i gjithi?
Është një situatë e vështirë besoj për të gjithë, jo vetëm për ne, por edhe për klubet, kombëtaret. Por duhen respektuar vendimet që merren pasi vijnë nga FIFA, UEFA, ato vendosin rregullat dhe që duhet të bëhen.