Gjimshiti: Jemi të gjithë të mërzitur, e vështirë të gjesh fjalët
Eliminimi i Kombëtarja e Shqipërisë nga “play-off”-et e Botërorit ka lënë një shije të hidhur në kampin kuqezi. Pas humbjes ndaj Polonisë, kapiteni Berat Gjimshiti, u shfaq i zhgënjyer dhe i prekur nga rezultati.
Në prononcimin e tij pas ndeshjes për Klan TV, mbrojtësi shqiptar theksoi se ishte një mundësi e madhe e humbur për të realizuar ëndrrën e kualifikimit në Botëror.
“Në këto momente është shumë e vështirë të gjejmë fjalët. Jemi të gjithë të mërzitur, ishte rasti i fundit për të shkuar në Botëror”, u shpreh Gjimshiti, duke reflektuar zhgënjimin e të gjithë skuadrës.
Kapiteni analizoi edhe rrjedhën e ndeshjes, duke nënvizuar se Shqipëria zhvilloi një pjesë të parë shumë të mirë dhe ishte pranë një rezultati edhe më të thellë. Sipas tij, momentet vendimtare në pjesën e dytë dhe epërsia fizike e kundërshtarit bënë diferencën.
“Ishim shumë afër në pjesën e parë, ndërsa më pas pësuam nga një situatë standarde. Ata kishin më shumë fizik, ndërsa ne kishim mungesa në këtë aspekt. Ndoshta mund të mbronim më mirë në goli i Robert Lewandowski, por këto janë detaje që bëjnë diferencën në këtë nivel”, shtoi ai.
Gjimshiti theksoi se skuadra duhet të mësojë nga gabimet dhe të shohë përpara, duke pranuar se ishte një rast i madh i humbur. Ai nuk harroi as tifozët shqiptarë, të cilët mbështetën në masë ekipin në Poloni.
“Falenderoj tifozët që erdhën të shumtë, ndoshta i zhgënjyem, por shpresoj të jenë sërish pas nesh në të ardhmen”, deklaroi kapiteni.
KOHA JONË SONDAZH

