Gjimshiti: Krenar që jam ndër shqiptarët që kanë arritur më lart në Seria A

Mbrojtësi i Kombëtares sonë, Berat Gjimshiti është rikthyer në fushë prej disa ditësh, ndërkohë që në një intervistë të fundit është shprehur krenar që është një nga shqiptarët e parë që ka shkuar më lart në Seria A. Ai ka theksuar se Reja interesohet vazhdimisht për klubin bergamask.

“Reja gjithmonë më flet shumë për Atalantën kur unë jam në Kombëtare dhe gjithmonë flet shumë mirë për ta. Ai vazhdimisht më pyet se si po shkojnë gjërat, se çfarë ndodh, si është grupi. Mbeti shumë i lidhur me këtë skuadër dhe ishte shumë i lumtur këtu.

A ndihem si shqiptari që arriti më lart në Serinë A? Po, ndihem shumë krenar për këtë. E kuptoj edhe kur kthehem në shtëpi. Në Shqipëri e ndjekin të gjithë futbollin italian, por Atalanta nuk ishte aq e njohur.

Tani shumë e kanë zgjedhur si ekip të dytë të preferuar dhe më thonë se luan futboll shumë të mirë, është kënaqësi e madhe. E ardhmja? Ndihem shumë i lumtur këtu, por do t’ju gënjeja nëse do të shprehem se nuk do të largohem. Duhet të shohim se çfarë do të paraqitet”, tha Gjimshiti.

SHKARKO APP