Gjimshiti kthehet në simbol te Atalanta, shembulli se si duhet të ngrihesh kur rrëzohesh!
“Pse rrëzohemi? Që të mësojmë të ngrihemi sërish.” Kjo frazë përmbledh më së miri momentin dhe karakterin e Berat Gjimshitit, i cili në dy ndeshjet e fundit ka treguar se çfarë do të thotë realisht të jesh lojtar i Atalantës. Mbrojtësi shqiptar ka dhënë një përgjigje të fortë pas vështirësive, duke konfirmuar rolin e tij si lider i vërtetë i skuadrës bergamaske.
Karriera e Gjimshitit me fanellën e Atalantës ka qenë gjithmonë e ndërtuar mbi këmbënguljen dhe shpirtin luftarak. Që nga vera e vitit 2018, kur pas dëmtimit të Varnierit ai shfrytëzoi shansin për t’u bërë pjesë e projektit të Gasperinit, e deri te triumfi historik në Europa League, numri 19 ka treguar vazhdimisht se nuk dorëzohet kurrë. Solid, i përqendruar dhe me zemër të madhe, ai është kthyer edhe në pikë referimi për mbrojtësit më të rinj.
Gabimi në ndeshjen kundër Interit, që i kushtoi humbjen Atalantës, ishte një moment i vështirë. Gjimshiti reagoi me përulësi, kërkoi ndjesë dhe u përqendrua te rikthimi i menjëhershëm. Dhe përgjigjja erdhi në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në sfidën ndaj Romës, ekipit të trajnerit që i ndryshoi karrierën, Gjimshiti ishte vendimtar: shpëtim mbi vijë ndaj një gjuajtjeje të sigurt, ndërhyrje të shumta dhe siguri konstante në prapavijë. Një paraqitje që e bëri më të mirin në fushë dhe simbol të asaj që do të thotë “të jesh Atalanta”: të biesh, por të dish gjithmonë të ngrihesh.
KOHA JONË SONDAZH

