Gjimshiti: Shën Valentinin do e kaloj me shokun e dhomës, Reja s’më ka aktivizuar

Berat Gjimshiti është një nga pikat e referimit në dy sezonet e fundit mjaft të mira të Atalantës. Gasperini është bindur plotësisht për vlerat e qendërmbrojtësit të kombëtares sonë duke e pasur titullar fiks në formacion thuajse në çdo ndeshje. Ai është futbollisti më i aktivizuar këtë sezon pas portierit Gollini me plotë 1781 minuta. Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Gazzetta dello Sport”, Gjimshiti ka shprehur dëshirën për të shënua më shumë, ndërkohë që kishte një mesazh edhe për trajnerin Reja.

“Ndaj Romës dhe Valencias janë dy sfida shumë të bukura dhe të vështira njëkohësisht. Nuk kam preferenca sepse dua t’i fitojmë të dyja ndeshjet për të ecur më shumë në Champions dhe në Serie A. Në fitojmë me Romën do të shkëputeshim gjashtë pikë, por nuk mendoj se ka përfunduar çdo gjë. Serie A ka edhe 14 javë pas ndeshjes me Romën. Këto dy ndeshje mund të jenë një tregues se deri ku shkojnë aftësitë tona. Do përpiqemi ta vendosim Valencian në vështirësi”.

Dzeko dhe Rodrigo – “Dzeko është i fortë, por Roma është një skuadër shumë e mirë. Këto ndeshje janë të gjitha për t’u luajtur. Rodrigo ndërkohë është lojtarë i nivelit të lart, jam përballur me të me të rinjtë kur isha pjesë e Zvicrës. Ka qenë që atëherë i fortë, jam mësuar me sulmues të fortë në Itali”.

Cili nga sulmuesit ju ka vendosur më në vështirësi në Seria A? “Ndoshta Belotti, në ndeshjen e parë në Torino. Është shumë e vështirë të përballesh me Gomez, Ilicic dhe Zapata, që i kam në skuadër.

Dy kartonë të verdhë këtë sezon – “Jam bërë më korrekt, kam mësuar nga eksperienca, kur isha i ri ndërhyrja disa herë në këmbë”.

Shën Valentini – “Të dashurës sime do t’i dhuroj lule, unë për Shën Valentin jam gjithmonë në dhomë me Gosens. Ka filluar që të shënojë më shumë që kur është bërë shokë dhome me mua. Për ditëlindjen time, nuk do të ishte keq ta festoja me një fitore”.

Objektivat personal – “Disa gola më shumë. Ndoshta ndaj Romës dhe Valencias, të shënoj ndoshta edhe në njërin prej tyre”.

Reja – “Me Reja-n në ekipin kombëtar gjërat janë më mirë. E kam pasur trajner te Atalanta dhe nuk më aktivizuar shumë (qesh)”. /R.Lika-Koha Jone/

 

 

SHKARKO APP