Gjykata Apelit në Katalonjë liron Daniel Alves për akuzat për përdhunim

Pasi kaloi më shumë se një vit në burg, Dani Alves është liruar nga akuza për sulm seksual ndaj një gruaje në klubin e natës Sutton në Barcelonë.
Seksioni i Apelit i Gjykatës së Lartë të Katalonjës, i përbërë nga tre gra dhe një burrë, ka pranuar ankesën e ish-mbrojtësit të krahut në lidhje me atë që ndodhi më 31 dhjetor 2022, sepse vendimi i Gjykatës së Barcelonës përmban “një sërë boshllëqesh, pasaktësish, mospërputhjesh dhe kontradiktash mbi faktet dhe mbi pasojat e tij ligjore”.
Në thelb, dëshmia e vajzës nuk u konsiderua e mjaftueshme për të vërtetuar dënimin me katër vite e gjysmë burg të 41-vjeçarit.
Gjykata rrëzoi ankesat e prokurorisë e cila kërkonte pavlefshmërinë e pjesshme të dënimit dhe si alternativë rritjen e të njëjtit deri në nëntë vjet (ajo private kërkoi që dënimi të rritet deri në dymbëdhjetë vjet).
Për momentin, avokati i Dani Alves, Inés Guardiola, nuk ka sqaruar zyrtarisht nëse do të kërkohet dëmshpërblim: “Unë jam pranë tij, drejtësia më në fund u vendos. Jam e prekur dhe e lumtur, ai është i pafajshëm. Më duhet të lexoj vendimin, i cili megjithatë nuk është ende përfundimtar. Nuk mund të them asgjë për dëmshpërblimin”.
Kujtojmë se në mars të vitit 2024 Dani Alves u largua nga burgu i Brians 2 pasi pagoi garancinë prej 1 milion eurosh. Në të njëjtën kohë, atij i janë konfiskuar pasaportat dhe është urdhëruar që të mbajë distancë nga viktima e supozuar dhe të paraqitet në gjykatë çdo javë.