“Gjyqtarët janë mafia”, shpërthen Capello dhe krahason rastin Negreira me Calciopoli

Fabio Capello del hapur kundër sistemit arbitrale modern. Në një intervistë të gjatë për “Marca”, ish-trajneri i Milanit, Romës, Juventusit dhe Real Madridit përdor tone shumë të ashpra për të kritikuar përdorimin e VAR-it dhe mënyrën se si është e organizuar klasa arbitrale, duke u ndalur gjithashtu te skandali Negreira në Spanjë dhe duke e krahasuar me Calciopolin në Itali.

Sulmi më i fortë i Capellos lidhet me menaxhimin e teknologjisë dhe, sipas tij, me izolimin e arbitrave nga bota reale e futbollit. “VAR-i është një kastë e mbyllur”, shprehet tekniku italian, duke shtuar se arbitrat nuk duan të përfshijnë ish-lojtarë apo ish-trajnerë në dhomat e VAR-it. Sipas Capellos, mungesa e përvojës në fushë çon shpesh në vendime të gabuara, sepse arbitrat nuk e kuptojnë gjuhën e trupit, lëvizjet dhe dinamikën reale të lojës. “Një prekje në fytyrë dhe lojtari hidhet, arbitri fishkëllen menjëherë. Kjo gjë më çmend”, thekson ai.

Zgjidhja, sipas “Don Fabios”, është e thjeshtë: të ketë figura me përvojë reale futbollistike pranë VAR-it. “Vendos aty një ish-lojtar ose ish-trajner që t’i thotë arbitrit: ‘Për mua nuk është penallti’”, shpjegon Capello, duke sjellë edhe një shembull konkret.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas tij, në një analizë të bërë me UEFA-n për 20 penallti të akorduara, vetëm 6 rezultuan të drejta kur u rishikuan nga ish-lojtarë dhe ish-trajnerë, ndërsa 14 ishin të gabuara.

Swiss Digital Mobile Reklama

Capello ndalet më pas te rasti Negreira dhe e krahason drejtpërdrejt me Calciopolin. Trajneri italian, i cili fitoi dy tituj kampion në La Liga me Real Madridin pikërisht në vitet kur Barcelona akuzohet se ka paguar ish-zëvendëspresidentin e arbitrave spanjollë, mbron me ironi dhe krenari ato suksese. “Kanë provuar të na ndalojnë, por nuk ia dolën. Kemi fituar kundër të gjithëve”, deklaron ai, duke shtuar se këto trofe kanë edhe më shumë vlerë nëse fitoret vihen gjithmonë në diskutim.

Në fund, Capello godet drejtësinë sportive spanjolle, duke e krahasuar me atë italiane të vitit 2006. Sipas tij, rasti Negreira nuk ka sjellë asnjë pasojë konkrete në Spanjë, ndërsa në Itali, edhe pa prova për pagesa direkte ndaj arbitrave, Juventusi u dërgua në Serie B pas Calciopolit. “Në Itali veprojmë, në Spanjë jo”, është përfundimi i prerë i ish-trajnerit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?